Meçe: Zgjedhja e Presidentit në dorë të lojës së Ramës por s'kalon pa miratim ndërkombëtar
Arben Meçe thotë zgjedhja e presidentit të ri do të vuloset nga faktori ndërkombëtar.
Në emisionin "Drejt" në Rtv Ora, ai thotë se opozita do të duhet të bëhet pjesë e procesit për të demonstruar prezencën e saj.
Meçe: Gjithçka cënohet nga fakti se opozita është e përçarë dhe nuk është faktor në këtë proces. Zgjedhja e presidentit mbetet në dorë të lojës që do të bëjë vetë Rama. Presidenti historikisht ka qenë proces i konjukturës politike të momentit. Rama ka gjithë instrumentat për ta dirigjuar procesin. Në këtë dirigjim o i ka vënë detyrë vetes që formalisht të bëjë një proces ku tre raundet e para të jenë realisht raunde kompromisi ose fitoren e ka në xhep. Rama është aq demagog, aq politikan.Zgjedhja e presidentit më tepër se në dorë të faktorit shqiptar është në dorë të faktorit që është bërë determinant në Shqipëri dhe po ndërhyn në mënyrë të dhunshme në politikën shqiptare. Mos e diskuto fare. Pa miratimin e faktorit ndërkombëtar nuk zgjidhen këto instanca në Shqipëri. Mos të pretendojmë se zgjedhjen e presidentit e ka në dorë as Rama, as Basha dhe as Berisha. Detyrë e opozitës është të jetë pjesëmarrëse për dy arsye, së pari të demonstrojë prezencë. PD e Berishës sot është defaktorizuar. Faktori që do të jetë në tavolinë do jetë ajo parti që sot përfaqësohet zyrtarisht nga Enkelejd Alibeaj. Mund të bashkohet dhe Fatmir Mediu dhe Gon Duka dhe këta mund të dalin në një propozim.

