Me 15 gusht rihapet e-Albania, lejohet regjistrimi i fëmijëve në shkolla jashtë qendrës së banimit, por me kusht
Më 15 gusht rihapet portali e-Albania për regjistrimin online të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi njofton se portali “e-Albania” do të rihapet mes datave 15-30 gusht për regjistrimin online të nxënësve të klasave të para dhe të dhjeta.
Ministrja Kushi shprehet se janë marrë në konsideratë edhe shqetësimet e përcjella nga institucionet tona arsimore, prindërit dhe nxënësit, lidhur me pamundësinë në disa raste të regjistrimit për arsye teknike, apo tejkalimit të afateve të përcaktuara.
Në këtë fazë të dytë do të lejohet dhe regjistrimi i fëmijëve në shkolla jashtë qendrës së banimit por kjo duhet të jetë e argumentuar.
Konkretisht, në periudhën 15 - 30 gusht do të rihapet portali e-Albania për regjistrimin e nxënësve, duke u dhënë mundësi prindërve të bëjnë kërkesën, si dhe të parashtrojnë arsyen e regjistrimit në shkollën jashtë qendrës së banimit”.
Ministrja Kushi sqaron gjithashtu se: “Në rastet kur shkollat kanë kapacitete të mjaftueshme, mund të regjistrojnë edhe nxënës jashtë zonës së banimit, pas miratimit nga ZVA-të përkatëse mbi bazën e arsyeve të legjitimuara. Shkolla duhet të kthejë përgjigje brenda 24 orëve pas kërkesës për regjistrim. Në rast refuzimi, të interesuarit duhet të vazhdojnë aplikimin brenda afatit në shkollën ku u takon regjistrimi”.
