Merkel në Tiranë më 14 shtator, takimi i parë me Ramën, drekë pune me liderët e rajonit

Merkel në Tiranë më 14 shtator, takimi i parë me

Ndërsa kancelarja gjermane është në fund të karrierës së saj, një ndër takimet e fundit të rëndësishme politike ka zgjedhur ta zhillojë në Ballkan. Më datën 14 shtator ajo do të mbledhë në Tiranë liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për integrimin europian dhe bashkëpunimin rajonal, por pa përmendur nismën “Open Balkans”.

Kancelarja gjermane ,Angela Merkel, do të mbërrijë të martën e 14 shtatorit në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Tirana do të mbledhë më datën 14 të gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët do të takohen me kancelaren.

Ambasada gjermane në Tiranë ka zbuluar detaje nga vizita e kancelares Merkel.

Sipas njoftimit zyrtar, takimin e parë Merkeli do e ketë me kryeministrin Edi Rama.

Më pas do të ketë një takim të përbashkët me krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor,  Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Serbisë.

Në plan të parë të bisedimeve do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal, njofton ambasada gjermane.

Ndërkohë, nuk do të mungojnë edhe takimet bilaterale mes kancelares dhe krerëve të qeverive të Kosovës, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Më herët, të hënën e 13 shtatorit, kancelarja do të mbërrijë në Beograd për t’u takuar me presidentin Aleksandër Vuçiç.

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, tha gjatë një takimi me presidentin Vuçiç të mërkurën se vizita e Merkelit, pavarësisht se erdhi në fund të mandatit të saj, po dërgon një sinjal të fortë se rajoni ka një vëmendje të madhe në agjendën gjermane.

Presidenti serb Vuçiç ndërkaq ka folur në fjalën e tij pas takimit për rëndësinë e Procesit të Berlinit për rajonin.

"Fillimi i Procesit të Berlinit, me propozimin e kancelares gjermane, krijoi një atmosferë të ndryshme dhe mundësi të reja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë rajonin më paqësor dhe më të qëndrueshëm," tha Presidenti serb.

Teksa në Beograd kancelarja do të takohet me pjesëtarë të shoqërisë civile nga të gjashta vendet e Ballkanit perëndimor, në Tiranë pritet që të mbahet një drekë pune me gjashtë liderët politikë të Ballkanit.

Edhe në Beograd, sikundër në Tiranë, Merkeli ka në agjendë bisedimet rreth bashkëpunimit politik dhe ekonomik rajonal sikundër edhe integrimin në Bashkimin Europian të rajonit.

Siç njoftohet në mediet serbe, por edhe në njoftimin e ambasadës gjermane në Tiranë, nuk përmendet nga gjermanët “Ballkani i Hapur”.

Gjermanët, nën udhëheqjen e kancelares Merkel, do të nisnin në vitin 2014 “Procesin e Berlinit” për të mbajtur Ballkanin Perëndimor afër BE-së, përsa kohë që Bashkimi Europian nuk ishte ende i gatshëm për të pranuar vende të reja në gjirin e tij.

EMISIONET