Mbyllet legjislatura 2017-2021, Ruçi mban fjalimin e fundit si politikan: Gjeneratat e tjera do ta bëjnë Shqipërinë më të mirë
Ky është moment kur Gramoz Ruçi është tërhequr nga politika duke mbajtur fjalimin e fundit në parlamentin më të anatemuar në këto 30 vite. Në një sallë me pak deputetë, ai ka falenderuar bashkëpunëtorët dhe kundërshtarët politikë, por po ashtu dhe njerëzit e tij më të afërt
"Përreth 3 dekada në këtë sallë 16 vjet i kam kaluar në mazhorancë dhe 14 vjet në opozitë. Dua të falenderoj publikisht dhe një herë familjen time për mirëkuptimin që ajo ka treguar gjatë sakrificave të mia dhe të tyre njëkohësisht për shkak të detyrave të mia publike në këto vite," tha Ruçi.
Rucci nënvizoi se ka qenë në shërbim të publikut në këto vite, por për angazhimet që nuk ka arritur të bëjë kryeparlamentari theksoi se nuk ka qenë për shkak të tij.
"Nëse nuk kam bërë atë që shqiptarët kanë pritur, jo se skam dashur dhe nuk kam ditur por nuk kam mundur. Madje do të thoja të gjithë bashkë nuk kemi mundur. Gjeneratat e reja do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për të jetuar, një vend më të mirë për të gjithë", tha Ruçi.
Në analizën për 4 vite parlament, theksoi reformën zgjedhore. Edhe pse opozita akuzoi se nuk u respektua marrëveshja ai u shpreh për një reformë të realizuar.
"Më 13 tetor 2017 Kuvendi miratoi me konsensus ngritjen e komisionit të Reformës së Posaçme Parlamentare për realizimin e reformës zgjedhore. Në objekt hartimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor," tha Ruçi.
Negociatat ishin po ashtu në qendër të fjalimit të Ruçit, por ashtu si dhe Rama ngërçi në bisedimet e integrimit nuk ka qenë për shkak të Shqipërisë.
"Aspiratat evropiane të vendeve të Evropës së re pengoheshin nga standardet e rrepta të Evropës së vjetër. Sot vendet tona i vendosin artificialisht pengesa prej vetë Evropës së re. Megjithatë ne shqiptarët nuk jemi as të inatosur, as të dëshpëruar dhe as pesimistë," tha Ruçi.
Në këto katër vite të parlamentit opozita dogji mandatet në mes duke u zëvendësuar nga emra që ishin në fund të listave. Madje pas këtij veprimi u bojkotuan dhe zgjedhjet vendore, duke sjellë një krizë edhe më të fortë politike.

