Mbahen në Tiranë Dita Arbëreshe dhe Samiti III i Diasporës
Në datat 22 dhe 23 nëntor 2023 në Tiranë do të organizohen Dita Arbëreshe dhe Samiti III i Diasporës.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se, Dita Arbëreshe do të mbledhë në Tiranë përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues, historian për të diskutuar në panele, të cilat fillojnë mëngjesin e datës 22 nëntor e për të vijuar me sesionin plenar që nis në ora 16.00 në Pallatin e Kongreseve.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të mbajë fjalën e hapjes për tu pasuar me mesazhet e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe emra të njohur arbëresh.
Gjatë këtij takimi do të jepen edhe çmimet “Shqiponja e artë” për disa personalitete.
Arbëreshët jetojnë në Itali nga shekulli XV, në rajonet e Abrucos, Kampaniës, Apulias, veçanërisht në Bazilikat, Moliz, Kalabri dhe Sicili. Në të gjithë Italinë, sot njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe.
Ata nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla zakonet e tyre të pasura, si gjuhën, veshjet, festat, traditat, ritet e besimet e paraardhësve të tyre.
Arbëreshet vijojnë të kontribuojnë në zhvillimet e vendit tonë, me po të njëjtin përkushtim me të cilin kontribuojnë në zhvillimet e vendit ku jetojnë dhe punojnë, duke u shfaqur vazhdimisht si promovues dhe përforcues të marrëdhënieve mes dy popujve.
Ndërsa Samiti III i Diasporës do të zhvillohet më datë 23 Nëntor në Pallatin e Kongreseve.
Në Seancën Plenare të Samitit do të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkëatdhetarë nga diaspora, të cilët janë regjistruar prej muajsh për të marrë pjesë në samit.
Pas sesionit do të ketë 6 panele diskutimi të organizuara nga MEPJ, MIE, MAS etj.
Diaspora shqiptare është katalizator i ndryshimit dhe faktor në zhvillimin e shoqërisë në Shqipëri nëpërmjet ndërmjetësimit, ndarjes së ideve, praktikave, vlerave dhe qëndrimeve, normave të sjelljes dhe akumulimit të njohurive dhe përvojës në zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e investimeve.
Gjithashtu Diaspora shqiptare ka një rol të rëndësishëm në promovimin e produkteve shqiptare dhe mësimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.
Lidhja shpirtërore, dashuria për atdheun ka bërë që të ruajnë gjuhën, kulturën, zakonet dhe traditat e paraardhësve të tyre, duke krijuar kështu edhe shoqata shqiptare apo organizata, pavarësisht integrimit në shoqërinë e vendeve ku ata jetojnë prej vitesh.
Figura të njohura, personalitete të shquara shqiptarë të Diasporës, me veprat dhe aktivitetet e tyre, kanë dhanë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të veçantë në promovimin e vendit tonë.