Matura "ngeli" në Gjuhë Letërsi", Shamku: Fajin e kemi ne gjuhëtarët, kemi mbajtur vetëm lapsin e kuq të qortimit
Një nga tezat më problematike të kësaj mature ishte ajo e Gjuhës dhe Letërsisë, ku 383 maturantë kanë marrë notën 4 dhe vetëm 4 maturantë kanë marrë notën 10.
Gjuhëtarja e njohur Ledi Shamku Shkreli në një lidhje me skype për "Ora e Betit" në Rtv Ora risolli në vëmendje konkluzionet e dy studimeve të saj në 2015 dhe 2017, duke identifikuar si problem kryesor të maturantëve jo drejtshkrimin por varfërinë në leksikun e përdorur.
Fajtor për këtë situatë bën edhe vetë gjuhëtarët.
Shamku: Nuk do ta besoja dot që problemin kryesor i shkrimit të maturantëve nuk është drejtshkrimi por një varfëri e madhe në llojin e leksikut të përdorur, një rrëmujë e madhe sintaksore në shtrimin dhe shtjellimin e mendimit dhe një problem kryesor me fjalitë e nisura dhe lëna përgjysëm. Kjo është kulturë gjuhe. Në 2017 në një tjetër studim vura re se 90% e përgjigjeve nisnin me sepse. Nuk i kemi mësuar të artikulojnë, të ndahen nga presioni i pyetjes. Nuk e di sa kontigjent i mirë për demokracinë do të jenë adoleshentët e sotëm. Demokracia është të mendosh me kokën tënde pa u nisur nga çfarë të ofrohet nga lart e poshtë. Fajin e kemi ne, kryekëput gjuhëtarët. E kemi konsideruar shkollën si diçka që nuk na përket ne, me prestigj të ulët. Edukimin gjuhësor në shkollë e kemi trajtuar si të ishim duke nxjerrë gjuhëtarë jo përdorues të gjuhës, shqipfolës dhe kemi mbajtur vetëm të drejtën e qortimit, lapsit të kuq, nuk kemi ofruar asnjëherë bashkëpunim. Në gjimnaz është futur gjuhësia jo gjuha shqipe.

