Skema e mashtrimit me TVSH-në, Gjykata lë në burg katër nga shtatë biznesmenët e arrestuar
Lihen në burg nga gjykata katër nga 7 biznesmenët e arrestuar për skemën e mashtrimit me TVSH-në me një dëm prej 3 milionë eurosh. Për dy prej tyre gjykata vendosi masën “arrest shtëpie” ndërsa për 1 të akuzur tjetër detyrim paraqitje. Dëmi ndaj shtetit është shkaktuar nga 13 subjekte fiktive që kanë lëshuar fatura të rreme me qëllimin e vetëm për të përfituar TVSH-në.
Gjykata e Tiranës caktoi masat e sigurisë për 7 të arrestuarit për mashtrimin me TVSH-në, për 13 kompani që plotësuan 1.2 mld lekë fatura fiktive dhe i shkaktuan shtetit një dëm mbi 3 mln euro.
Gjykata ka lënë në burg shtetasit Amarildo Hasrama, Besim Ruçi dhe Ajet Aluku, pronarë të subjekteve fiktive. Ndërsa ka vendosur arrest shtëpie për Bledar Gupen, Xhersi Sulajn dhe detyrim paraqitje për Anxhelo Ruçin.
Po ashtu gjykata ka vendosur arrest në burg dhe për Nelit Miholën, i cili është në kërkim.
Sipas hetimeve, 13 subjektet fiktive, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryen një skemë mashtrimi me TVSH.
Kjo skemë mashtrimi është zbuluar pas një hetimi nga ana e Administratës Tatimore, e cila ka shfrytëzuar sistemin e ri të fiskalizimit dixhital, që ka qenë një prej elementëve kyç që ka ndihmuar drejtorinë e hetimit të zbardhur gjithçka.
Drejtoria e Hetimit, përmes metodave të specializuara dhe kryqëzimit të informacionit midis librave të shitjes dhe librave të blerjes, si edhe nëpërmjet sistemeve elektronike fiskale ka arritur të faktojë përfshirjen e 17 shtetasve të lidhur ngushtë me subjekte të përfshira në skemën kriminale.
Verifikimet kanë gjetur mbi 1.2 miliard lekë të reja fatura fiktive të lëshuara nga shoqëri tregtare, që nuk kanë ushtruar në asnjë moment aktivitet ekonomik, duke i shkaktuar shtetit një dëm financiar në TVSH dhe Tatim-fitimi prej 300 milion lekësh të reja.
Dyshohet se në këtë skemë kriminale mashtrimi janë të përfshirë persona edhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të Administratës Publike, për të cilët vazhdojnë hetimet

