Mashtrime financiare nëpërmjet “Call Center-ave”, në pranga 36-vjeçari në Durrës, 3 nën hetim

Policia e Durrësit ka arrestuar një 36-vjeçar dhe nisur hetimin për tre të tjerë pasi akuzohen se nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryente mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center.
Sipas njoftimit të bluve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Call me 2”, u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit L. K., 36 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit H. K., G. H. dhe A. D.
"Arrestimi i tij u bë pasi, nëpërmjet platformave të ndryshme elektronike, kryente mashtrime dhe transaksione financiare, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash, nën mbulimin e aktivitetit si call center", informon policia.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, “Fshehja e atë ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

