Masakra në Velipojë, Hasan Verracaku konfirmon: Konflikti me Gocajt për shezlonget, qëlluan të parët

Masakra me katër të vrarë e dy të plagosur në Velipojë pas një konflikti për shfrytëzimin e plazhit mund të ishte parandaluar.

Vetëm disa orë para se të përfundonin në përplasje me armë, anëtarë të familjeve Verracaku dhe Gocaj, u përfshinë në debate në zonën e plazhit për vendosjen e shezlongjeve .

Blutë e Velipojës sipas burimeve kishin marrë dijeni për sherrin, por nuk kanë ndërhyrë me argumentin se ndarja e plazhit nuk është kompetencë e tyre.

Ngjarja është ende në hetim nga policia e Prokuroria e Shkodrës, por nuk ka konfirmim nëse pjesë e verifikimit janë edhe veprimet, apo mos veprimet e Efektivëve të Policisë së Velipojës.

Debatet për vendosje e shezlongeve janë konfirmuar nga të dy familjet.

"I kam pasur unë vjet, ja kanë dhënë atij sivjet edhe kemi pritur të vijnë t'i ndajnë," tha Pjetër Gocaj.

Pas Pjetër Gocajt, i cili humbi dy djemtë, 54-vjeçari, edhe Hasan Verracaku, i cili vetë mbeti i plagosur, ka dhënë këtë argument si shkak për konfliktin.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet ndërkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve".

Në dëshminë nga Spitali i Traumës ku po trajtohet, ai ka pretenduar se në hotelin e Gocajve vajtën për të sqaruar konfliktet, por ata nuk pranuan të lironin vendin dhe i qëlluan të parët.

"Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli" ka thënë ai për policinë.

Nga Shkëmbimi i zjarrit mbetën të vrarë biznesmeni Kujtim Verracaku (Ferrcaku) 59 vjeç, pronar i hotel “Fantazia”, vëllezërit Xhovani dhe Edmond Gocaj 25 dhe 38 vjeç që kishin hotelin “Gocaj” dhe punëtori i tyre Musaen Zeneli.

Hasan Ferracaku dhe nipi i tij Elmedin Tyli mbeten të plagosur dhe të dy janë vënë në pranga në Spital.

Ndërsa tre vëllezerit Abedin, Shyqyri dhe Besar Verracaku janë shpallur në kërkim si bashkëautorë.

Kush janë viktimat

Kujtim Verracaku (Ferracaku), babai i Arjan Ferracakut, 59 vjeç
Musaen Zeneli, 19 vjeç kamarier. 
Edmond Gocaj,  38 vjeç 
Xhovani Gocaj 25 vjeç
Gocajt janë vellezer, djemtë e pronarit të hotelit Gocaj para të cilit ndodhi masakra

Të plagosur

Elmidin Dyli 17 vjeç
Hasan Verracaku 54 vjeç, vëllai i Kujtim Verracakut.

50 metra i ndanin 

Dy familjet Verracaku dhe Gocaj kanë hotele në Velipojë me distancë 50 metra larg njëri tjetrit. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi 2 armë kallashnikov, një pistoletë tip Glock dhe një TT. Ata janë dërguar për ekzaminim për të parë se kujt i përkisnin. Po bëhet dhe kqyrja e gëzhojave që janë gjetur në vendngjarje pasi dyshohet se janë përdorur dhe armë të tjera.

EMISIONET