Gledis Nano urdhër efektivëve: Patrulloni vijën bregdetare, të filmohen manovrat e rrezikshme

Gledis Nano urdhër efektivëve: Patrulloni vijën bregdetare,

Nga muaji gusht do të shtohen masat për mbarvajtjen se sezonit turistik, nisur nga fluksi i lartë i turistëve, vizitorëve dhe bashkëkombësve që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet në Shqipëri, si dhe në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë  së Shtetit Gledis Nano ka urdhëruar marrjen e  masave shtesë përgjatë muajit gusht, për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Nano nëpërmjet një letërporosie ka kërkuar nga drejtorët vendorë dhe të kufirit marrjen e menjëhershme të masave shtesë për sigurinë e pushuesve.

Nano ka urdhëruar që të caktohen punonjës policie, kryesisht të Policisë Kriminale a të Rendit, për të patrulluar në vijën bregdetare, aty ku ka grumbullime masive të pushuesve dhe të filmojnë çdo rast të tentativës për manovra të rrezikshme nga “Jet ski”-të apo skafet, qoftë brenda perimetrit të sigurisë, ashtu edhe në afërsi të perimetrit të sigurisë.

“Qoftë punonjësit civilë, ashtu edhe punonjësit me biçikleta apo me patrullat e rendit, për çdo rast të konstatuar, filmimet t’ua dërgojnë menjëherë Policisë Kufitare, e cila të reagojë në kohë reale duke bllokuar mjetin dhe duke e ndëshkuar me masë administrative.”

Gjithashtu në urdhërin e Nanos thuhet që Policia Kufitare të rrisë patrullimet dhe të koordinojnë veprimet me Policinë vendore, për të parandaluar dhe për të reaguar në kohë ndaj këtyre shkeljeve që krijojnë imazh negativ për vendin, cenojnë efektivitetin e punës së Policisë dhe krijojnë frikë dhe panik tek pushuesit.

EMISIONET