Manjani: "Të zezat" e Saliut janë një lule krahasuar me ç'po i bëhet e ç'ju bë këtij vendi këto vite

Ish-ministri, Ylli Manjani, në një reagim lidhur me vendimin e DASH për shpalljen "non grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha thotë se "korrupsioni", për më tepër i pafaktuar, apo "të zezat" e Berishës në vite, nuk kanë asnjë shans të mbulojnë korrupsionin e të zezat e sotme që i bëhen Shqipërisë.
Sipas tij, janë galopante dëmet që i bëhen ekonomisë,pronës publike,demokracisë, shtetit ligjor e të drejtave themelore të njeriut.
"Të zezat" e Saliut janë një lule krahasuar me ç'po i bëhet e ç'ju bë këtij vendi këto vite.Mbi të gjitha, viza e refuzuar e Saliut që na solli liberalizimin e vizave, nuk i justifikon fare, po hiç fare, zgjedhjet e vjedhura të 25 prillit. As votimet moniste të 2019-ës".
Manjani nënvizon se nëse diplomacia amerikane, jo gjykata amerikane, mendon se duke hedhur gjyle tek mullarët e Sali Berishës,do na bëjë t'i harrojmë këto që ndodhin sot e ka gabim.
"Shqipëria sot është më e vjedhur se kurrë më parë. Është më jo demokratike se kurrë më parë në këto 30 vitet e fundit. Shqipëria institucionale dhe ligjore është më e dobëta se kurrë më parë nga krijimi ynë si shtet".
Me apo pa viza amerikane, kjo është e vërteta që shohim çdo ditë, vijon Manjani, duke shtuar se me apo pa viza, shqiptarët ikin...
"E të vijosh të thuash që "fajin e ka Saliu", një burrë në moshë që s'ka asgjë në dorë veç fjalës, i bie që ky fundit qenka kokrra e burrit" përfundon Manjani.
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ka vendosur të hapë një proces gjyqësor për “shpifje”, ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, lidhur me njoftimin ditën e djeshme nga ana e këtij të fundit, se “po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë si i përfshirë në korrupsion në shkallë të lartë” duke i ndaluar për pasojë, atij dhe familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve)hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Berisha njoftoi se "kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral dhe të respektuar, si Franca që të ngrejë ndaj zotit Blinken një padi direkte para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike".
Berisha u shpreh se "për arsye që janë tërësisht të panjohura për mua, Sekretari i Departamentit të Shtetit ka publikuar dje, pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur, më shpifëse, vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim".
Ai nënvizoi, ashtu si dhe në deklaratën e djeshme, se “që kur kam nisur jetën time politike, por ju garantoj se potë shkoni më tutje, që kur kam prekur rrogën e parë në borderot e shtetit dhe deri dje nuk ka njeri në Shqipëri apo në botë që mund të thotë se unë kam qenë i implikuar në një aferë të çfarëdoshme korruptive”.
Berisha, u shpreh se ai u detyrua të ndërmerrte një veprim të tillë, për shkak të “dinjitetit të nëpërkëmbur”, por se "në mënyrë kategorike ky nuk është një akt kundër SHBA-ve, për të cilat ushqej të njejtat ndjenja por ndaj një njeriu i cili pa rreshtuar as prove, fakt apo argument, ka ngritur akuza që nuk mi kanë ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër".




