Manja çon në prokurori gjyqtaren Klorinda Çela: Vendimi i saj bllokoi investimin e qeverisë tek ish Garda
Akuzat publike të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtares Klorinda Çela janë pasuar me një padi penale në SPAK nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Në një dalje për median ai akuzoi gjyqtaren e Tiranës, tashmë të shkarkuar nga vettingu, se ka bllokuar investimin e qeverisë shqiptare për Qendrën e Fëmijëve pranë ish-Gardës së Republikës.
Tirane- Pak javë pas akuzave publike të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtares së Tiranës, Klorinda Çela, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i ka kërkuar SPAK-ut të fillojë hetimet ndaj saj me pretendimin se ka bllokuar investimin e qeverisë për Qendrën Kulturore të Fëmijëve pranë Gardës së Republikës.
Ulsi Manja: "Marrja e një vendimi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve aq më tepër kur kishte njoftuar një datë tjetër na bën të mendojmë se kjo vendimarrje ka qenë e ndikuar” tha Manja.
Sipas Manjës, gjyqtarja ka marrë një vendim të parregullt për sigurim padie lidhur me pronën ku po do të bëhet investimi.
Ministri theksoi se vendimi është marrë pa praninë e palëve në një datë tjetër nga ajo që ishte caktuar për zhvillimin e seancës.
Ulsi Manja: "Ndërkohë që palët e njoftuara bëheshin gati për seancën gjyqësore të 18.11.2021, në datën 21.10.2021 gjykata disponoi me një vendimmarrje për sigurim padie pa praninë e palëve"
Kreu i Ministrisë së Drejtësisë theksoi se gjyqtarja është shkarkuar nga vettingu për shkak të kriterit të pasurisë, por kërkoi që ajo të ndiqet edhe penalisht.
Ulsi Manja: I gjithë ky absurd ka ndodhur gjatë periudhës kur gjyqtarja në fjalë ishte njoftuar se do të paraqitej para Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit i cili në fund bazuar në kriterin pasuror vendosi ta shkarkojë nga detyra.
Pse?
Shkak është bërë një vendim që është marrë nga gjyqtarja e çështjeve civile në Tiranë lidhur me projektin e parashikuar të ndërtohet pranë Liqenit, aty ku ka qenë Garda e Republikës.
“Rast skandaloz, i turpshëm dhe abuzimit me detyrën e lartë të gjykatës“ e quajti ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.
Manja akuzon gjyqtaren se me vendimin e marrë po mban peng qendrën kombëtare të fëmijëve të kryeqytetit. Manja tha se gjyqtarja ka marrë një sigurim padie duke cënuar rëndë interesat e shtetit dhe favorizuar haptazi palët në gjyq.
Një vendim i tillë sipas tij është marrë një javë para se të shkarkohet nga vetingu më 27 tetor 2021 dhe eshtë një vendim “Kap ça të kapësh”


