Makina del nga rruga në aksin Këlcyrë-Ballaban, plagoset 62-vjeçari, mjeti drejtohej nga i biri
Një 62-vjeçar me banim në Tiranë mbeti i plagosur pasditen e sotme në një aksident rrugor. Ngjarja është regjistruar rreth orës 15:00 në aksin rrugor Këlcyrë-Ballaban.
Ai po udhëtonte si pasagjer në mjetin ‘Mitsubishi’ që drejtohej nga djali i tij, i cili ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
"Në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Këlcyrë-Ballaban, në afërsi të fshatit Bedyqas, automjeti tip ‘Mitsubishi’, me drejtues shtetasin A. B., 37 vjeç, banues në Tiranë, ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar pasagjeri, babai i drejtuesit të mjetit, shtetasi A. B., 62 vjeç, banues në Tiranë" njoftoi policia.
I plagosuri është transportuar në spitalin Rajonal Gjirokastër për ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.


