Manjani: Basha kryetar që takon demokratët duke u mbrojtur me polici, sa do rrijë kështu?

Në një intervistë për RTV Ora, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u shpreh se një zgjidhje në PD do të ishte që deputet të luanin një rol shumë më aktiv dhe paqtues.

Ai tha se nuk ka ndonjë parti opozite në botë që blindon partinë dhe ku kryetari takon simpatizantët e tij me policët e shtetit që e mbrojnë.

Manjani: Një zgjidhje në PD do të ishte që deputet të luanin një rol shumë më aktiv dhe paqtues se sa po luajnë. Kemi parë deputetë që janë në pozita neutrale, duken si të OSBE-së. Më ka habitur kjo pjesë sepse prisja më shumë nga këta deputetë. Deputetët janë njerëz që punën e tyre e bazojnë te njerëzit dhe nëse perceptojnë se ata nuk i shkojnë më pas, sigurisht që do të fillojnë të ndjekin turmën dhe atë që ka shumicën. Dihet se shumica nuk është më te Basha.

Nuk ka ndonjë parti opozite në botë që blindon partinë dhe takon simpatizantët e tij me policët e shtetit. Takon anëtarët e partisë që s’janë fare të partisë, janë patronazhistë dhe policia është në mbrojtje të Bashës. Sa mendon se do të rrijë kështu Basha?

Manjani shtoi se duket se PD nuk ka njerëz sepse ka kryetar grupit parlamentar, nënkryetar, kryetar i një komisioni hetimor dhe drejtues në Shkodër, Enkelejd Alibeajn.

Manjani: Duket se PD nuk ka njerëz sepse kryetar grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, nënkryetar Enkelejd Alibeaj, kryetar i një komisioni hetimor Enkelejd Alibeaj, në Shkodër, Enkelejd Alibeaj, deputet Enkelejd Alibeaj, në debate Enkelejd Alibeaj. Kjo është një budallallëk. Ky është një enturazh idiotësh dhe Basha duhet ta kuptojë sa më shpejt sepse vetëm vetes i bën dëm.

EMISIONET