Logu: ‘Rama 3’ me të njëjtat figura, një pjesë duhet të ishte para SPAK-ut dhe drejtësisë
Në një intervistë për Ora News, avokati Marash Logu u shpreh se emra e rinj të qeverisë ‘Rama 3’ nuk sjellin asgjë të re, pasi janë figurat që kanë bërë një rrokadë, që qarkullojnë prej 8 vitesh.
Sipas tij, dy personazhet e dosjes 184 janë promovuar njëri në krye të ministrisë së Drejtësisë dhe tjetri si numri dy i PS-së.
Logu: Këto emra të rinj nuk sjellin asgjë të re. Po të shohësh figurat që kanë bërë një rrokadë, janë të njëjtat figura që qarkullojnë prej 8 vitesh. Të gjithë e dimë se këto figura duhet të ishin sot para SPAK-ut dhe drejtësisë për të dhënë llogari për aferat dhe për shpërdorimet e detyrës apo edhe për krimet zgjedhore të 25 prillit. Njerëzit që kanë qenë autorë të krimeve zgjedhore, promovohen në funksionet më të larta të qenërisë dhe PS-së. Shohim edhe personazhe të tjera që nuk kanë angazhim të njohur në publik, të cilat kanë të vetmit kriter besimin e kreut të PS-së.
Dy personazhet e dosjes 184 janë promovuar njëri në krye të ministrisë së Drejtësisë dhe tjetri si numri dy i PS-së. Këta personazhe janë të njohur për krimet zgjedhore dhe për tenderin e unazës së madhe dhe që duhet të ishin para drejtësisë sot. SPAK nga paaftësia ka bërë që këta njerëz jo vetëm të mos ndëshkohet, por të promovohen në pozicione të tilla drejtuese. Këtu nuk ka ngelur qytetar që të mos jetë i vetëdijshëm se si zgjedhjet masakrohen duke përdorur administratën publike për një gjë të tillë.
Logu shtoi se në zgjedhjet janë përdorur fondet e tërmetit dhe legalizimet për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
Logu: Në zgjedhjet janë përdorur fondet e tërmetit dhe legalizimet për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Në shumë bashki të vendit para zgjedhjeve ka pasur një rritje të frikshme të punësimeve fiktive. Këta ishin njerëz që nuk kryenin funksione dhe pas fushatës shumë prej tyre janë larguar nga puna, sepse u përdorën vetëm që të sillnin në rezultat të favorshëm për PS-në.


