Ligji antiduhan ka ulur me 20-30% duhanpirjen

Ndryshimet ligjore që ndërmori qeveria në Ligjit Antiduhan, që ndalon përdorimin në ambiente të mbyllura jo vetëm të duhanit, por edhe duhanit me ngrohje, apo cigares elektronike, ka ulur me 20 % deri 30 % duhanpirjen në vendin tonë.
Kështu u shprehen sot, gjatë një takimi në Tiranë përfaqësues të “Klubit Parlamentar për të Rinjtë” të Kuvendit të Shqipërisë, të kryesuar nga drejtuesja e këtij grupi deputetja Andia Ulliri, ku ishin të pranishëm deputetë nga forca të ndryshme politike, aktorë institucionalë nga qeveria, organizma ndërkombëtarë, si OBSH, UNICEF, ekspertë e grupe interesi.
Takimi vuri theksin në kuadrin e masave të parandalimit dhe kontrollit të duhanit me fokus tek adoleshentet dhe të rinjtë.
Ekspertët e fushës vunë theksin në prezantimin e gjetjeve të studimeve që përfshijnë të dhënat lidhur me nivelet aktuale të duhanpirjes në vend, ku rezultojnë mbi 42 % e meshkujve dhe 7 % e femrave, (krahasuar me normën globale 36.7% e meshkujve dhe 7.8 % e femrave atë të OECD prej 16.5%), dhe sidomos tek moshat e reja, ku më shumë 50 % meshkujve të moshës 25-34 vjeç konsumojnë duhan, si dhe faktorët kryesorë rregullatorë dhe socialë që ndikojnë në nisjen dhe parandalimin e duhanit tek adoleshentët dhe të rinjtë.
Edvin Zhllima, profesor në UBT-s, tha se, “rritje e nivelit të akcizës në kufirin e vendeve të Bashkimit Evropian është një mekanizëm i mirë për të ulur konsumin e duhanit”. Sipas tij, rritja e çmimit të cigareve, do ta dekurajonte ndjeshëm këtë kategori.
Ndërsa profesor Drini Imami ndau të dhëna mbi duhanin si faktori kryesor i riskut për sëmundjet kryesore jo të transmetueshme, dhe mbi pasojat kryesore në shëndetin dhe ekonominë e familjeve shqiptare, ku duhanpirjes i atribuohen mijra vdekje të parakohshme çdo vit, për post dëmit ekonomik në familje.
Deputetja Ulliri theksoi rëndësinë e kontrollit të konsumit dhe shitjes së duhanit sidomos në lidhje me të miturit dhe ambientet shkollore. Ajo vlerësoi rëndësinë e këtyre studimeve dhe diskutimin e tyre me politikbërësit.
Ndërsa deputeti Bardhyl Kollçaku u shpreh se është shumë e rëndësishme që të vështirësohej dhe dekurajohej konsumi i duhanit, duke e bërë më të shtrenjtë përmes taksave, dhe duke kufizuar konsumin në ambiente publike, por edhe duke adresuar aspekte rregullatore të promovimit të modeleve të gabuara në programe televizive.
Gjatë diskutimeve, deputeti Arbi Agalliu theksoi rëndësinë që çdo ndërhyrje fiskale të marrë në konsideratë informalitetin dhe zbatueshmërinë pasi shpesh politikat apo nismat ligjore orientohen drejt interesave të grupeve të caktuara, si edhe theksoi rëndësinë e forcimit të kuadrit rregullator me fokus të rinjtë.
Geraldine McWeeney (përfaqësuesja e OBSH-së) konfirmoi rëndësinë e gjetjeve të studimeve dhe prioriteti që ka për OBSH-në lufta ndaj konsumit të duhanit.
Mariana Bukli, specialiste e UNICEF Shqipëri, për çështjet e shëndetit dhe mirëushqyerjes së fëmijëve, ra dakord me gjetjet e prezantuara dhe vuri theksin tek nevoja për një qasje me në qendër fëmijët, dhe parandalimin e hershëm të përfshirjes së tyre në duhanpirje, përmes masave rregullatore dhe programeve ndërgjegjësuese.

