Lezhianët po ruajnë me çifte hajdutët, kryepolici Nano: Kemi hetime që shumë shpejt do japin rezultat
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deklaroi sot në Komisionin e Sigurisë se policia ka marrë masa në lidhje me vjedhjet e kohëve të fundit në Shënkoll të Lezhës, që janë kthyer në makth për banorët.
"Janë marrë masa nga policia e shtetit lidhur me këtë situatë. Sa herë ka festa apo sezone të ndryshme që ka fluks qoftë të shtetasve shqiptarë që kthehen në banesat e tyre apo turistë rriten masat e policisë së shtetit në lidhje me këto aktivitete. Për problematikën e vjedhjeve, policia vendore Lezhë dhe struktura nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit që hetojnë vjedhjen e pasurisë janë angazhuar në shërbim dhe kemi hetime që shumë shpejt do të japin rezultat. Kjo edhe në funksion të parandalimit të këtyre ngjarjeve".
Rreth 50 banesa janë grabitur në harkun e dy muajve të fundit në Shënkoll të Lezhës. Banorët thonë se po flenë veshur e bëjnë roje nga frika e hajdutëve që po bën kërdinë në fshat.




