Tensione në Lezhë/ Salvador Kaçajt i zënë pritë dy persona, njëri i armatosur
Ish-kryebashkiaku i Shëngjinit ka denoncuar në Komisariatin e Lezhës se teksa po lëviste me makinë në aksin Lezhë-Milot me dy persona të tjerë, dy automjete i kanë zënë pritë duke i zënë rrugën.
Drejt tij kanë ardhur dy persona me vrap, nga ku njëri ka qënë i armatosur.
"Rreth orës 18:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi Salvador Kaçaj 56 vjeç, banues në Lezhë, dhe ka bërë kallzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, dhe konkretisht sapo kalon vendin e quajtur M+, dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën. Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë.
Drejtuesi i mjetit ku udhëtonte shtetasi S.K., ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës dhe kanë ardhur menjëherë në polici ku kanë bërë edhe kallzimin," njoftoi policia.
Në lidhje me kallzimin e shtetasit S.K., shërbimet e Policisë kanë njoftuar menjëherë Prokurorin si dhe nën drejtimin e tij, po kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale me qëllimin zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.