Kërkohej për masakrën e Çoles, Ani Begaj kapet në Vlorë me armë në brez pas 7 vitesh në arrati
Ky është aksioni i policisë së Vlorës, ku u arrestua Ani Begaj, një prej autorëve të asaj që njihet si masakra e Çoles në Vlorë.
Arrestimi i të shumëkërkuarit i dënuar me 35 vjet burg, është bërë mesditën e 7 korrikut, ndërsa ai ishte së bashku me një tjetër person i identifikuar si Elton Begaj.
Të dy të rinjtë po qarkullonin me një mjet tip "Citroen", ndërsa policia kishte marrë informacion se ata posedonin armë me vete, por pa e ditur se me kë kishin të bënin.
Blutë e Vlorës i janë vënë në ndjekje dy të rinjve, ndërsa ata nuk kanë ndaluar edhe pas urdhrit të punonjësve.
Pas disa minutash ndjekjeje, të rinjtë kanë ndalur makinën dhe kanë hedhur armët, ndërsa janë munduar të largohen me vrap, por janë arrestuar pak metra më tutje nga policia.
Ani Begaj, edhe pse një ndër autorët kryesorë të masakrës së Çoles në prill të 2015, nuk u arrestua asnjëherë pasi dyshohet se pas masakrës ai u arratis jashtë vendit ku dyshohet që qëndroi në Greqi, dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri.
Në Prill të 2015, pas një sherri në kazino, mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.
Prokuroria akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj.
Gjatë seancave të gjata në Shkallën e Parë, atë të Apelit dhe Gjykatën e lartë, përfundimisht u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.
Masakra e Çoles, e cila nisi si një sherr banal, krijoi për vite të tëra në Vlorë një zinxhir vrasjesh mafioze.


