Leksion tangoje në PD, një hap pas për Bashën, një hap para për bashkim
Lulzim Basha i rezistoi deputetëve të Partisë Demokratike që i kërkuan dorëheqjen nga posti i kryetarit pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 marsit. Pas 6 orë diskutimesh, ligjvënësit morën si zgjidhje të krizes premtimin e Bashës për një hap pas në emër të bashkimit të partisë.
6 orë të ngujuar për një zgjidhje dhe nuk mundën ta gjejnë atë dhe pse kane 6 muaj në krizë, që kur më 9 shtator Lulzim Basha pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD.
Basha: Grupi Parlamentar ka parë mundësitë e bashkimit të demokratëve, nuk ka kërkuar koka turku. Unë nuk jam këtu për të bërë justifikime dhe as për të bërë kokë turku. Për mua gjëja më e rëndësishme është bashkimi i demokratëve. Në të njëjtën mënyrë do ecim përpara. Sa më takon mua jam në dispozicion të zgjidhjes me gjithçka kam në dorë.
Kryetari i partisë, që parimisht ka përgjegjësinë për ta zgjidhur këtë krizë, i ka dhënë vetes kohë. Tha se ishte i hapur për çdo zgjidhje, por në vend të saj ofroi veten.
Basha: Vënien time në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme që ndihmojnë përbashkimin e PD dhe ecjen e demokratëve përpara.
Dorëheqja nuk është në axhendën e Lulzim Bashës pse ja kërkuan brenda në mbledhje të grupit, edhe me besnikët fanatikë.
Bardhi: Basha u shpreh i gatshëm jo vetëm për të bërë hap pas por për tu bërë pjesë e zgjidhjes duke kapërcyer veten, pozicionin e tij në interes të PD dhe demokratëve. Është një momnent i rëndësishëm për të ardhmen e PD, secili prej nesh përfshirë Bashën dhe Berishën duhet të kapërcejnë veten, demokratët kanë nevojë për zgjidhje, zgjidhja vjen vetëm përmes bashkimit.
Një hap pas është shumë për mbështetësit e Bashës në grupin parlamentar.
Si Gazment Bardhi ishte dhe një pjesë e vogël deputetësh.
Enkelejd Alibeaj foli për bashkim dhe për tërheqje të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.
Por nëse Basha duhet të bëjë një hap pas, nga se duhet të tërhiqet Sali Berisha?
Alibeaj: Të hiqet dorë nga fryma përçarëse, agresioni, injektimi i një atmosfere jopërbashkuese, janë minimumi që u kemi borxh demokratëve.
Për Grida Dumën mjafton që Lulzim Basha ta mbajë fjalën.
Duma: Është një hap, ka kryer një hap dhe shpresoj ta çojë deri në fund. Shpresoj që gjithçka që thotë të jetë e vërtetë dhe duhet të jetë e vërtetë.
Për Ervin Salianjin vetëm një akt do të thotë hap pas.
Salianji: Dorëheqje e Lulzim Bashës nga kryetar partie.
Ky i fundit ishte dhe viktimë e një incidenti, siç raportuan mediat për mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, ku një militante e PD-së e qëlloi deputetin.
Salianji: Njerëz të paftuar që janë rreth e rrotull, që emocionohen nga këto situata po asnjë gjë me tej. Ka pasur njerëz të paftuar dhe ka qenë një komunikim përtej limitit me kryetarin e partisë, të dy në tejkalim, por padyshim në tejkalim është ai që fton njerëz që janë të paftuar ën sallën ku zhvillohen mbledhjet e Grupit Parlamentar. Nuk është normale që të ketë. Salla e mbledhjeve të grupit është për anëtarët e Grupit Parlamentar. Unë nuk intimidohem dot, as nuk kërcënohem, as nuk kam frikë. Nuk ka pasur një kërcënim, se as nuk më kërcënojnë dot. Ka pasur një tensionim.
Edhe më i dëshpëruar u shfaq deputeti Tomor Alizoti pas mbledhjes së grupit.
Alizoti: Qëndruam pesë orë dhe ai thotë do bëj hap para, pas. Kemi arritur në dimensione qesharake, është bërë një kopsht fëmijësh. Unë mbajta qëndrimin tim, vetëm dorëheqje. Demokracia ka dy tipare, dorëheqje, votë. Ne nuk e shpikim dot. Kështu e ka bota dhe kështu duhet të ndodhë.
Përsa kohë Lulzim Basha e shtyu zgjidhjen në kohë, opsion mbetet ngritja e një grupi të përbashkët për bashkimin e partisë, krahas propozimeve për organizim të zgjedhjeve me fokus rindërtimin e besimit dhe bashkimin e demokratëve.
Këto ide do të hidhen në tryezën në Kolegjin e Kryetarëve, Kryesi dhe Këshillin Kombëtar.

