Lekaj-Fier me pagesë për 35 vite, Partia e Lirisë: Koncesionari do të fitojë 1.3 mld euro pa TVSH

Partia e Lirisë denoncon atë që e quan afera me e fundit. Pikërisht dhënia me koncesion e rrugës Lekaj-Fier për të cilën për 35 vite kalimi në të do të jetë me pagesë.

“Afera më e fundit është pikërisht koncesioni rrugës Lekaj-Fier ku do të shpenzohen 320 milionë euro pa TVSH për të 46 kilometra.  Pra, kosto shkon 7 milionë euro për kilometër.  

Është skandaloze fakti që të gjithë ju duhet ta dini që vetëm 3.8 kilometra janë gjurmë e re rruge ndërsa e gjithë pjesa tjetër është zgjerime të rrugës aktuale e cila është  me dy korsi me sense lëvizje 2x2 (SH4)  asfaltuar dhe që klasifikohet e nivelit A dhe siguron lëvizje me 90 kilometra orë” tha Vasili sot në një prononcim për median nga selia e PL-së.

Pas marrjes së kontratës kalimi në këtë aks do të bëhet me pagesë me një kohëzgjatje prej 35 vitesh, dhe bashkimi i 9 kompanive shqiptare ka qenë i vetmi që ka marrë pjesë në garë.

“Koncesioni është dhënë pa garë pasi është paraqitur vetëm një konkurrent që ka fituar me 320 milionë euro me një vlerë 2.4 milionë euro më të lartë nga fondi i caktuar në ofertën e qeverisë.

Koncesionari do të krijojë të ardhura prej 1.3 miliardë euro pa TVSH për 35 vite ku pagesa minimale do të jetë 2.1 euro për makinë.

Është skandaloze që edhe ky segment ashtu sikurse edhe koncesioni Milot-Balldren janë të paktën 40-50% më shtrenjtë sesa studimet e fizibilitetit për llogari të donatorëve.”

Partia e Lirisë thotë se qeveri Rama është shndërruar në “qeverinë e vendosjes së traut gjithëkund për leverdi të saj dhe të klientëve dhe kurrë për të mirën e qytetarëve. Ajo që pritet të ofrojë qeveria është pra edhe një tra për të dalë nga dera e shtëpisë.”

EMISIONET