"Legalizimi i kanabisit rrezikon integrimin", Rama-Berishës: Nëse s'i përgjigjemi qytetarëve do na përbuzin

Ish-kryeministri Berisha e quajti të gabuar vendimin e Ramës për të legalizuar kanabisin për përdorim mjekësor. Sali Berisha tha se kjo do të pengonte rrugën e integritetit të vendit në BE. Kryeministri, teksa e quajti Berishën "të vdekur" tha se nuk mund t'i kthejë përgjigje.
Rama: Të vdekurit që janë gjallë i admiroj siç i admirojnë të gjithë. Nolin, Konicën, i adhuroj. Të gjallit që janë të vdekur s'kemi çfarë t'i bëjmë. I urojmë jetë të gjatë biologjike, por nga pikëpamja e interesit publik... këshillimi Kombëtar nuk është një fjalë goje, është një ndërmarrje dhe angazhim shumë i madh. Nëse ne nuk do t'i përgjigjemi qytetarëve me akte dhe me fakt do të jemi ne që do të meritojmë përbuzjen e tyre se angazhuam gjysmë milioni njerëz dhe plot të tjerë rrinë tani dhe shikojnë që a është reale kjo?
Kishte plot që thoshin nuk e mbush pyetësorin se nuk do na dëgjojë njeri. Se çfarë thonë të vdekurit kjo nuk ka asnjë rëndësi. Ne jemi siç na porosit i madhi Jezu Krisht kur thotë "Lërini të vdekurit të varrosin të vdekurit dhe vazhdoni përpara me të gjallët." Kështu që ne do pyesim shqiptarët.
Rama tha se vitin tjetër do pyesin qytetarët nëse duan të legalizohet kanabisi për përdorim vetjak në gramaturat e lejuara.

