Lapaj: Rama kaloi nga "shteti nuk ndërhyn" në paketa. Nuk janë mjaftueshëm, duam masa si fqinjët
Në një intervistë për RTV Ora, aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj u shpreh se protesta do të vazhdojë çdo ditë, ndërsa do të kulmojë në një marshim kombëtar të shtunën.
Ai tha se vendimet do të merren në shesh tashmë dhe se grupet e interesit kanë paraqitur një sërë kërkesash, që mendojnë se janë të nevojshme që të ndërhyrë qeveria
Lapaj: Protesta do të vazhdojë çdo ditë, ndërsa do të kulmojë në një marshim kombëtar të shtunën dhe besoj se do të ketë vendime të sheshit për të proceduar më tej nëse do të ketë marrje masash. Këto gjëra do të merren si vendim nga sheshi. Grupet e interesit kanë paraqitur një sërë kërkesash, që mendojnë se janë të nevojshme që të ndërhyrë qeveria, në mënyrë që të sigurohet prodhimi kombëtar dhe furnizimi i qytetarëve me çmime të arsyeshme. Në këtë pikë kemi një avancim të marrëdhënies, sepse ditët e para Rama thoshte se nuk ka punë qeveria, por tashmë ka marrë veprime, që për mua janë masa akoma të pamjaftueshme.
Ai ka krijuar një bord për çmimin e karburanteve dhe ka bërë një paketë krize. Kjo është më mirë se asgjë, por nuk është mjaftueshëm, sepse ne nuk mund të jemi njerëz me bisht, por jemi qytetarë që duam masa si në vendet e rajonit që janë më të gjëra dhe cilësore. Maqedonia ka ndërhyrë duke pezulluar taksa për karburantet deri në 31 maj si periudhë. Janë bërë ulje të ushqimeve të shportës dhe produkteve bazike, duke i dhënë oksigjen qytetarëve, po edhe pa i dëmtuar në thelb taksat. Ne duhet të mbajmë ritmin e fqinjëve.
Lapaj shtoi se në shesh është dalë jo për kapriço, por për të thënë se mund të bëhet më mirë dhe se duhet të afrohemi me vendet e rajonit.
Lapaj: Ne nuk kemi dalë për kapriço, por jemi aty për të thënë se ka bërë të bërë më mirë se kaq. E kemi arritur diçka, sepse janë ulur çmimet, edhe pse për ne duhet të ulen 3-4 qind lekë, ashtu si në vendet fqinje. Po këto janë paratë e shqiptarëve dhe buxheti i shtetit është i tyre.



