Lamallari: Në 2023, rritje me 40% të krimeve kibernetike

Lamallari: Në 2023, rritje me 40% të krimeve kibernetike

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari u shpreh sot se, në vitin 2023 ka pasur një rritje më 40 % të veprave penale, të cilat regjistrohen nga Policia e Shtetit në fushën e krimit kibernetik.

Në një intervistë televizive Lamallari tha se, nga 756 vepra penale, 70 % lidhen me keqpërdorimin e rrjeteve sociale.

Lamallari theksoi se, “Policia e Shtetit nuk mund të mbahet e shkëputur vetëm me sigurinë fizike, por edhe për sigurinë kibernetike. Ne nuk mund të rrinim në heshtje. Në vitin 2023 një rritje me 40 % të veprave penale që regjistrohet nga Policia e Shtetit në fushën e krimit kibernetik, 756 vepra penale në 2023 dhe 70 % lidhen me abuzimin dhe keq përdorimin e medieve sociale. Ne duhet të reagonim në mbrojtje të kategorisë vulnarabël që janë të rinjtë dhe nxënësit e shkollave. Jam i lumtur që ku alarm u dëgjua nga TikTok”.

Zëvendësministri i Brendshëm dha edhe detaje nga takimi me përfaqësuesit e TikTok dje në Tiranë.

Lamallari tha se, është kërkuar që të shtohet numri i moderuesve shqiptare që të filtrojë përmbajtjen në gjuhën shqipe.

Sipas Lamallarit, është kërkuar që të shtohen fjalë kyçe që janë fyese dhe shantazhuese në gjuhën shqipe dhe që përbëjnë shkak për hetim penal.

Po ashtu, Lamallari tha se, është bërë një kërkesë në lidhje dhe me kontrollin e moshës.

“Kanë qenë në Shqipëri drejtues të politikave të TikTok. Siç ishte marrë zotimi drejtori është shprehur aty se kanë rënë dakord të shtojmë numrin e moderuesve të gjuhën shqipe dhe të shtohen fjalët kyçe që janë fyese shantazhuese, që përbëjnë shkak për një hetim penal. Për ta lehtësuar që komentet të tilla mos të shfaqej u mor si angazhim që të shtohej edhe gjuha shqipe për filtrimin automatik të disa termave që janë fyese e bullizuese. Kishte edhe element e të tjerë që lidheshin me kufizimin e moshës. S’ka sens që një 13-vjeçar të përdorë këtë rrjet sociale, ndryshe mund ta përdore një 13 vjeçar dhe ndryshe një tjetër. U shprehën tri kërkesa konkrete, që kompani të vërë në dispozicion persona kontakti për Policinë e Shtetit”, tha Lamallari.

Lamallari u shpreh se, përveç takimeve me përfaqësuesve të TikTok do të ketë takime edhe me përfaqësues të platformës META, Facebook dhe Instagram.

Zv/ministri tha se, do të ndërmarrin një nismë ligjore, e cila do të përshtatet me legjislacionin e BE-së dhe ka një sërë detyrimesh për mbrojtjen e përdoruesve.

“Është e nevojshme që pjesë e këtij diskutimi ligjor ndërhyrja me nisma ligjore konkrete duke marrë modelet më të fundit të BE-së. Akti përmban në sërë detyrimesh që janë në mbrojte të përdoruesve për të njohur se çfarë bëhet me të dhënat e tyre personale”, tha Lamallari.

Po ashtu, zv/ministri shtoi se, i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me policinë e BE-së, që lidhet me referimet në internet.

EMISIONET