IRONIA NË DATËLINDJEN E POLICISË/ Vr*sësi me pagesë, Altin Ndoci, arratiset nga burgu i Durrësit, pjesë e grupit të Talo Çelës
Një i burgosur dyshohet se është arratisur nga burgu i Durrësit. Mësohet se i dënuari është Altin Ndoci, pjesë e grupit të Talo Çelës.
Burime për mediat bëjnë me dije se Ndoci ka shfaqur komplikacione shëndetësore dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Mësohet se në momentin e kryerjes së vizitave mjekësore, Ndoci nuk ka qenë i vetëm, por shoqërohej edhe nga një tjetër person i paraburgosur.
Sipas informacioneve, për shoqërimin e dy të paraburgosurve ishin angazhuar gjithsej pesë punonjës policie. Tre prej tyre ishin të caktuar për shoqërimin e drejtpërdrejtë të të paraburgosurve, ndërsa dy të tjerë qëndronin në një furgon policie, i parkuar poshtë spitalit.

Në një moment, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet dhe është shoqëruar nga dy punonjës të Policisë së Burgjeve. Sapo ka dalë nga ambientet e tualetit, Ndoci dyshohet se ka goditur të dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë, duke përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi.
Arratisja ka ndodhur nga kati i tretë i pavijonit infektiv të spitalit. Njëri nga policët e ka ndjekur nga pas Ndocin dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër, por ky i fundit ka arritur të arratiset dhe dyshohet të ketë marrë drejtimin nga zona e Spitallës.
Ngjarja dyshohet të ketë qenë e mirë menduar dhe e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një Audi luksoze A7 e bardhë me targë AA700RS në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan.
Lidhur me ngjarjen janë ngritur postoblloqe në rrugët e Durrësit, si dhe në qarqet kufitare, Fier, Tiranë, Lezhë, e më gjerë ka pika kontrolli ne hyrje të qyteteve.
Pamje nga vendngjarja:
Ngjarja konfirmohet edhe nga Drejtoria e Burgjeve.

"Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.
Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.
Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes", thuhet në reagimin e Drejtorisë së Burgjeve.



