Adriatik Lalla kërkon strehim politik në Romë. Ish-kryeprokurorit i njoftohet urdhër-arresti, lihet i lirë
Ish-kreu i Prokurorisë së përgjithshme Adriatik Llalla, ka kërkuar azil politik në Romë pas dënimit në Tetor 2021 me 2 vite burgim, për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.
Lajmi për “Ora News” konfirmohet nga burime të sigurta, të cilat sqaruan se ish-kryeprokurori Llalla është duke pritur përfundimin e procedurave.
Nga ana tjetër në Shqipëri, struktura e Posaçme SPAK konfirmoi se ka marrë konfirmim nga autoritetet italiane se Adriatik Llalla, është arrestuar në datën 10 dhjetor në Romë, si pasojë e urdhërit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar prej tyre, raporton Ora News.
Azil politik
Mësohet se disa kohë më parë Llalla, është paraqitur në Zyrën e Migracionit në Itali, duke kërkuar statusin e azilantit Politik në këtë shtet. Ai ka pretenduar se gjykimi dhe ndjekja penale kundër tij nga drejtësia shqiptare, kanë qëntë të sinkronizuara nga faktorë politikë.
Llalla ka dhënë të gjitha arsyet dhe shkaqet që e detyruan të largohej nga vendi, duke kërkuar së fundmi dhe azilin politik.
Ai u ka treguar punonjësve se nga komunikimet që ai ka pasur me avokatin e tij në Shqipëri, është vënë në dijeni se ndaj tij ka dhe një urdhër ndërkombëtar ndalimi të lëshuar nga prokuroria shqiptare. raporton Ora News.
Ish zyrtari i lartë ka dhënë dhe adresën e shtëpisë se ku banon në Romë dhe më pas është larguar në banesën e tij.
Zyra e Migracionit në Itali së bashku me policinë e këtij shteti, kanë kryer verifikimet me Interpol Romën, duke konfirmuar se ndaj Adriatik Llallës ekzistonte një mandat arresti i lëshuar nga Drejtësia Shqiptare.
Ky urdhër arresti i është komunikuar Adriatik Llallës, pikërisht në datën 10 dhjetor 2021 në adresën e shtëpisë së tij ku banon në Romë.
Pas komunikimit, oficerët e policisë janë larguar nga banesa, duke lënë të lirë ish-kryeprokurorin Shqiptar.
Llalla do vijojë të qëndrojë në Itali deri në përfundimin e të gjithë procedurës shteruesë për dhënies ose jo të statusit të azilantit Politik. Nëse kryeprokurori Llalla arrin të përfitojë këtë status, atëherë ekstradimi i tij në Shqipëri nuk mund të realizohet.
Në muajin Tetor të 2021, ish-kryeprokurori u deklarua fajtor dhe dënua me 2 vite burgim nga Gjykata e Posaçme e Apelit në Tiranë.

