Kushtetuesja lejon protestat pa lejen e policisë, avokatja: Vendim i drejtë, por i vonuar

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lejuar protesta në Shqipëri me vetëm një njoftim për policinë është konsideruar sa i drejtë, por edhe i vonuar.

Avokatë dhe aktivistë përshëndesin rrëzimin e nenit të miratuar nga Parlamenti, por kujtojnë dhe ndalimin e tubimeve apo ndalimin e protestuesve.

"Është bërë gjëja e duhur. Sigurisht që është gjëja më e duhur e mundshme, kur ne shpesh herë u kërkonim të protestonim për një çështje që nuk shkonte me rregullat e të drejtave të njeriut, nuk shkonte me legjislacionin jo etëm shqiptar por edhe evropian," shprehet Sazan Guri.

"Liria e rikthyer në fakt se nuk ka qenë para disa viteve një gjë e tillë. Edhe para disa viteve ka qenë e njëjta procedurë që ti duhet të njoftoje organet ligj-zbatuese ose organet policore në lidhje me mbajtjen e një proteste apo një tubimi të caktuar duke e informuar vendin ku do bëhej protesta dhe objekti i protestës," thotë avokatja Kalaja.

Sipas avokates Adriana Kalaja shfuqizimi i këtij neni do të eleminojë të gjitha vonesat në dhënien e lejeve për zhvillimin e tubimeve.

"Mjafton që të njoftosh organet e rendit, organet e rendit nuk kanë nevojë të marrin vendim në lidhje me këtë njoftim, por thjesht duhet të marrin masa për garantimin sa më të mirë të një proteste dhe të një tubimi. Unë si qytetare vazhdoj të jem pro protestave, ne gjithmonë duhet të protestojmë nga gjërat më të vogla, pavarësisht se këtu kemi probleme shumë më të mëdha," thotë Kalaja.

Pas publikimin në fletoren zyrtare të gjitha parregullsitë dhe protestat e paligjshme pritet të eleminohen.

EMISIONET