Kush i humb zgjedhjet?

Kam përshtypjen se "kush i humb zgjedhjet?" është pyetje më e drejtë, se sa ‘kush i fiton ato?’. Jo vetëm për faktin se, historikisht, në Shqipëri ka patur parti që kanë humbur, pra që jua kanë sjellë në majë të hundës shqiptarëve, më shumë se sa programe, aleanca dhe forca që kanë frymëzuar.

Këtë radhë sidomos, pritshmëritë janë më të mëdha për humbësin se sa fituesin. Duket se të gjithë janë rreshtuar në Bulevardin e Madh për të pritur që të kalojë kufoma e të mposhturit në zgjedhje, jo për ta qarë, por për ta pështyrë. Procesioni i fundit, me një politikan në arkëmort, që qahej kur duhej pështyrë, ka qenë e Enver Hoxhës.

Prej atëherë, ata që humbin zgjedhjet pështyhen si të mposhturit në arenat e amfiteatrove romakë.

I ka ndodhur kjo Ramës në 2009, por edhe Bashës në 2017. Por nuk ka mbaruar me kaq. Në të dy krahët, radhë të gjata spektatorësh presin të shohin, si njërin dhe tjetrin, duke parakaluar me kokën ulur gati për t’u pështyrë sërish.

Natyrisht, nuk është vetëm prirja për spektakël e turmës që e ka pjellë këtë gjendje barbare në imagjinatën popullore. Janë edhe liderët vetë. Ata kanë bërë çmos që instrumentin më të përdorur në arenën e komunikimit publik të kenë pikërisht përshtypjen linçuese.

Stërkalat e saj gjenden gjithandej në hapësirën e komunikimit në Shqipëri, që nga mitingjet, te foltoret partiake, paditë e ndërsjella në gjykatë, studio televizive etj. Kjo ka bërë që zgjedhjet të jenë më shumë spektakël i të humburit se të fituarit.

Kjo ka bërë që dita e paszgjedhjeve të ketë më shumë ankth për atë që humb se sa atë që fiton. Kjo ka bërë që edhe 25 prilli të zërë radhën për të pritur 26 prillin, dhe më pas të ngrejë trekëmbëshin politik për njërin nga ata të dy që humbet: Bashën ose Ramën.

Pikërisht kjo ka bërë që asnjëra palë, në thuajse të gjitha garat elektorale të mos e pranojë humbjen, por të thotë se është "fitues të cilit i është vjedhur haku". Në këtë shteg takohemi sërish duke pyetur: "kush i humb zgjedhjet?".

Sepse fitimtarët nuk janë sjellë si të tillë në Shqipëri. Siç, as humbësit nuk e kanë njohur disfatën e tyre.

EMISIONET