Dekonspirimi i "Plumbit të Artë", Kraja: Informacioni në shumë duar, vështirë të gjesh nga rrjedh. Paratë e krimit jashtë pastrohen në Shqipëri

Megaoperacioni i zhvilluar në maj të viti që çoi në goditjen e 8 grupeve kriminale u shoqërua dhe me kritika pasi krerët e tyre u shpëtuan prangave.

Dyshimet e forta ishin për dekonspirim.

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, në një intervistë për VOA thotë se proceset  në Shqipëri kanë disa detyrime ligjore që e bën të vështirë  identifikimin e rrjedhjes së informacionit.

Pyetje: Një çështje që ka ngjallur kritika është dhe rasti i goditjes së disa grupeve kriminale në Shqipëri. Sërish krerët e këtyre grupeve nuk u kapën. A nuk ishte dalja e deponimeve të Nuredin Dumanit një paralajmërim për ta që të largoheshin nga vendi, ku e gjen vetën SPAK në këtë gjë?

Kraja: Nuk është i mirë përjetimi që të dalin në media deklarimet e personave që janë pyetur, kushdo që të jenë ato. Por proceset në Shqipëri kanë ca detyrime ligjore që kur merret një masë sigurimi aktet u vihen në dispozicion të gjithë të pandehurve, avokatëve të tyre, kalon në shumë duar dhe nganjëherë është e vështirë të kuptosh nga rrjedh informacioni. Por pavarësisht asaj që ndodhi ne e kemi vazhduar ndjekjen penale, po punojmë intensivisht për të provuar dhe më shumë veprimtarinë kriminale të atyre grupeve që janë me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Do të vazhdojmë të punojmë intensivisht dhe nuk ka asnjë problem fakti që dikush prej tyre nuk është kapur. Do vazhdojmë pa kufizim hetimin ndaj tyre.

Pyetjes se sa të fuqishme janë grupet kriminale në Shqipëri, Kraja i dha këtë përgjigje:

Kraja: Kohët e fundit po vërejmë gjithnjë e më shumë përfshirjen e shtetasve shqiptarë në aktivitete kriminale jashtë vendit, duke u përfshirë sidomos në trafikun e drogave, duke u aktivizuar që në vendet e burimit, Amerikës së Jugut dhe garantimi të transportit përmes anijeve apo rrugëe të ndryshme detare drejt Europës Perëndimore. Ky është fenomen shqetësues patjetër jo thjesht për fajktin se dëmton jetën apo njerëzit që përdorin këto droga aty ku përdoret por edhe për Shqipërinë ka pasoja. Një pjesë e mirë e parave që rrjedhin nga ky aktivitet kriminal vijnë dhe investohen në Shqipëri, në Shqipëri ndodhin shumë vrasje, grabitje, ngjarje të dhunshme që lidhen me aktivitetin jashtë vendit të këtyre grupeve kriminale. Ne jemi të përfshirë si shtet në pasojat që sjell ky aktivitet. Kemi vendosur kontakte me gjithë autoritetet e huaja që bashkëpunojmë në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe takimet në SHBA, me një pjesë prej strukturave të zbatimit të ligjit, ishin në këtë drejtim.

Në maj të këtij viti, operacioni i koduar "Plumbi i Artë" i urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, çoi në goditjen 8 grupeve kriminale. Në listën e 32 urdhërave të arrestit figuronin emra të njohur të botës së krimit.

U ekzekutuan 18 urdhëra arresti, nga të cilët 9 ishin në burg që më herët për çështje të tjera. 14 personat e tjerë, mes tyre dhe emrat e figurave kryesore si Elvis Martinaj, Suel Çela, Talo Çela apo Kamer Mehja, e Florenc Çapja, janë në kërkim.

Grupet e goditura vepronin kryesisht në Elbasan, por dhe në Tiranë e Durrës. Mes të arrestuarve ishte dhe një punonjës policie.

Sipas SPAK, këto grupe dyshohet se qëndrojnë prapa disa vrasjeve, tentativave për vrasje, vjedhjeve me dhunë dhe armë, veprave të dhunshme, apo shkatërrim prone me lëndë plasëse, të kryera që nga viti 2011 deri vitin e kaluar.

EMISIONET