Kurushi: Çdo gjë e tepërt dëmton fëmijët, kujdes me hipervigjilencën, ka fëmijë tre vjeç që nuk ecin
Sot në studion e emisionit "Jeto me Orën" u diskutua për hipervigjilencën prindërore, si një fenomen që ka pasoja në jetën e fëmijëve. Prindërit shpesh herë janë në dilemë midis modelit autoritar apo atij të moderuar.
Sipas Migena Kurushit dejtuese e qendrës "Hyperactivity Albania" kohët moderne kanë gjeneruar situata krejtësisht të reja, ku fëmijët janë subjekt i një hipervigjilence prindërore. Nga ekstremi i dhunshëm i figurës prindërore dhe autoritariste me teknika kushtëzuese të zhvillimit normal të fëmijës .
"Vërejmë se koha na ka prezantuar me një fenomen edhe më kushtëzues ndaj fëmijës por jo formë fizike të dhunshme. Kjo i përket ekstremit tjetër, atij të frikërave, pasigurive dhe paranojës prindërore për t’i paraprirë çdo kërcënimi të mundshëm të mjedisit ndaj fëmijës. Nëse shikojmë angazhimin edukativ të prindërve në familje, kemi dy “prerje sociale”, ose më saktë dy kategori prindërish.
Nga njëra anë janë prindërit që vërtet, përpiqen të punojnë me fëmijët, por që janë shumë të shqetësuar dhe të frikësuar për rezultatet e ulëta të kësaj pune. Nga ana tjetër janw prindërit që jo vetëm nuk dinë “të prindërojnë”, por as që nuk duan të mbajnë përgjegjësi edukative për edukimin e fëmijëve të tyre.
Të obliguar pas punëve, halleve ekonomike, bizneseve dhe kënaqësive të vogla të ditës, shumë prindër kanë hequr dorë nga ky mision themelor edukativ i familjes, duke menduar se edukimi është një proces i lirë, spontan, i natyrshëm që mund të realizohet vetvetiu në kohë" u shpreh ajo.
Kurushi u ndal tek një studim që qendra që ajo drejton ka rezultuar se tek shumë fëmijë mosha kalendarike nuk përputhet me aftësitë konjutative, që do të thotë ka fëmijë të moshës tre vjeç që nuk dinë të ecin ,të përtypen ,ndaj sipas saj hipervigjilenca, pra përkujdesi i tepruar dëmton fëmijët. Në të njëjtën linjë bisede u ndal edhe ekspertja e çështjeve sociale Entela Hidri e cila tha se prindërit hipervigjilentë janë gjykues ndaj vetes dhe fëmijës ndaj ndikimi tek ta është i madh.
Ndërsa gazetaria Deada Hyka nënën e dy fëmijëve shprehu shqetësimin për ambientin me të cilin rrethohen fëmijët.
"Unë jam një nënë helikopter, në kuptimin që jam protektive shumë ndoshta e teproj por bota që rrethon fëmijët tanë është e egër" u shpreh ajo.
Në fund të bisedës Kurushi ndau disa këshilla për prindërit të cilët sipas saj duhet ti njohin fëmijët e tyre edhe nëpërmjet mësuesve dhe edukatorëve.


