"Kur natyra nuk të lë rehat" pasi tërmeti dëmtoi shtëpinë, erozioni në Kurbin po e fundos atë
Familja Lleshi në Kurbin po përballet për të dytën herë me natyrën.
Pasi tërmeti u dëmtoi shtëpinë e tyre duke e bërë të pabanueshme, erozioni rrezikon që ta fundosë përfundimisht atë që ka mbetur nga shtëpia.
Kryefamiljarja bën apel për ndihmë ndërsa thotë se institucionet nuk i janë përgjigjur.
Me banesë të dëmtuar nga tërmeti dhe të rrezikuar nga rrëshqitja e tokës.
Ky është shqetësimi i 3 familjeve që jetojnë në të njëjtin kulm, në fshatin Dilbnish të Kurbinit.
Shtëpia e tyre 2 katëshe është dëmtuar rëndë nga lëkundjet sizmike të nëntorit të vitit 2019-të, ndërsa gjatë këtij dimri, është shfaqur frikshem dhe fenonomeni eroziv.
Toka ka pësuar shkarje deri afër themeleve të shtëpisë, duke rrezikuar shembjen e plotë të banesës dy katëshe në të cilën jetojnë njerëz.
"Që nga rënja e tërmetit unë jam pa shtëpi, sepse po më zë brenda. Vazhdojnë tërmetet të bien, toka rrëshket çdo ditë. Komuna,Bshkia e Laçit, komuna Milotit nuk më jep asnjë përgjigje," tha Ervin Lleshi.
Pavarësisht premtimeve, 3 vite pas tërmetit asgjë nuk ka ndryshuar për këto familje, të cilat janë dhe në vështiresi ekonomike.
"Në darkë shkoj te shtëpia me qira, është e pamundur të jetoj aty. Më kanë hequr dhe përkrahjen, nuk e di arsyen pse e kanë hequr. Shembje e tokës ndodh përditë, përditë, kemi frikë të jetojmë. I kam fëmijët e vegjël nuk mund ti lë vetëm, ndihem e pafuqishme," tha Marte Lleshi.
Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019, i cili la të pastrehë rreth 1500 familje, ndërsa proçesi i rindërtimit për banesat individuale ka ngecur për shkak të rritjes së çmimit të materialeve të ndërtimit.
