KUJDES! PAMJE TË RËNDA/ “Ora News” siguron pamjet e aksidentit tragjik në Vlorë ku humbi jetën kamarieri 17-vjeçar nga shoferi i dehur

“Ora News” ka siguruar pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur pas mesnatës së të hënës në Vlorë, ku humbi jetën një 17-vjeçari Lenadro Shametaj.
Adoleshenti po kthehej në shtëpi me motomjetin e tij pasi kishte përfunduar punën. Rreth orës 00:15 u përplas nga makina luksoze tip “Porsche” që ecte me shpejtësi dhe i mituri ndërroi jetë në spital. Norma e lejuar në bulevardin “Ismail Qemali” është 40 km/h.
Sipas policisë, drejtuesi i makinës, Haiti Bajramaj, 32 vjeç, ishte në gjendje të dehur. Ai u arrestua në flagrancë për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa viktima nuk kishte leje drejtimi për motorin “Trinity”, por në momentin e përplasjes po lëvizte brenda shpejtësisë së lejuar.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se goditja ka qenë tejet e fuqishme. Motori i të miturit ka mbetur nën rrotat e makinës, ndërsa njolla e gjakut mbi asfalt dëshmon përmasat e tragjedisë. Gjyshi i të ndjerit akuzon policinë se nuk ndëshkon shoferët që lëvizin me shpejtësi.

