"Polici thotë do mbledh çadrat e plazhit e ikën" Kreu i KLP-së: S'ka bashkëpunim me prokurorin

Kryeprokurori Olsian Çela gjatë raportimit të tij në KLP vuri në dukje disa çështje të cilat sipas tij janë problematike, qysh nga respektimi institucioneve, dosjet në harresë, deri te ndëshkimin e prokurorëve që nuk bëjnë detyrën.
Ndërkohë, nga ana e tij, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, tha se drejtësia e pavarur ka nisur të funksionojë, por për të vazhdon të mbetesh shqetësim bashkëpunimi i prokurorisë me policinë.
Sipas tij, kjo mungesë bashkëpunimi mes prokurorisë dhe policisë është një problem serioz i cili duhet të marrë fund.
Ibrahimi: Raporti me policinë për shembull? Kam 20 vite që dëgjoj të njëjtin refren “prokuroria nuk arrin të bashkëpunojë me policinë e shtetit në hetim”. Anekdotat që dëgjojmë lart e poshtë, janë vërtetë qesharake. Dëgjojmë nga prokurorët që në mes të procesit të hetimit, oficeri i policisë thotë “më fal po sot kam aksionin e mbledhjes së çadrave të paligjshme në plazh, edhe ikën”. Është problem serioz, edhe kjo do një zgjidhje. Është një tjetër kauzë e madhe, një tjetër front i madh pune për Prokurorin e Përgjithshëm.
Po ashtu, Ibrahimi shtoi se edhe godinat e prokurorive në vend janë godina të dorës së dytë ose tretë dhe kërkohet buxhet zhvillues për to.
Ibrahimi: Ti shkon dhe viziton zyrat e prokurorive në Republikën e Shqipërisë dhe shikon që ato janë dora e dytë ose e tretë, sa i takon vendndodhjes, cilësisë së ndërtimeve të godinave, hapësirave në dispozicion. Këtu ka vend për një revolucion nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm. Ka vend për buxhetim zhvillues, krijues, pa komplekse. Nuk ka asnjë arsye përse Bashkia të jetë më e bukur apo më në qendër se sa Prokuroria e një rrethi. Të kuptohemi drejt. Ajo që ne shohim sot është padyshim rezultat i 100 viteve mentalitet dhe histori të zhvillimeve institucionale.



