"Kryebashkiakja nuk mbajti premtimin" Banorët në Kurbin bllokojnë rrugën, i kërkojnë shpjegime Majlinda Carës
Banorët e një lagjeje në Mamurras kanë protestur të mërkurën duke bllokuar rrugën kryesore ku kalojnë qindra kamionë. Ata thanë se kryebashkiakja Majlinda Cara kishte deklaruar para pak mujash se prej datës 1 shkurt në lagjen e tyre nuk do të kalonin më kamionë, por pavarësisht kësaj kamionët nuk u ndaluan. Banorët bllokuan rrugën e kamionëve ndërsa i kërkuan shpjegime kryebashkiakes .
1 shkurti ishte afati i përcaktuar nga Bashkia e Kurbinit, për bllokimin e lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë, në rrugën e lagjes "Demokracia" në Mamurras, por kjo nuk ka ndodhur.
Përballë kësaj situate banorët u ngritën sërish në protestë këtë të mërkurë, duke bllokuar vetë lëvizjen e mjeteve të rënda, që sipas tyre ju kanë dëmtuar rrugën dhe ju rrezikojnë jetën e fëmijëve.
"Jemi këtu për të bllokuar kamionët, çdo ditë këtu kalojnë mbi 400 kamjonë, është rrugë lagje s'është rrugë nacionale. Kryetarja e bashkisë na premtoj që nuk do i lejojnë të kalojnë në këtë rrugë," thanë ata.
Banorët fajësojnë kryebashkiaken e Kurbinit për mosmbajtje të premtimit, duke paralajmeruar përshkallëzim të reagimit, nëse nuk do të ndalohet kjo masakër që sipas tyre po i bëhet dhe masivit pyjor të zonës.
"Kemi problem dhe me ndotjen nga pluhuri, baltën, ka gurore pa leje që punojnë dhe na ndotin ambientin. Kur nuk i mban premtimet për një muaj, çfarë mund të mbaj ajo për një kohë më të gjatë?
Kryëtarja e Bashkisë Kurbin na premtoj që në datën 1 shkurt do zgjidhet problemi i rrugës për kamionet, por sot nuk shihet asnjë reagim," thanë ata.
Ky aks rrugor përdoret nga kompanitë e ndërtimit për të transportuar materiale inerte nga kodra e qytetit drejt kantierëve ku po ndërtohen pallatet.

