“Kriza energjetike”/Rama: Shpresoj që BE të mos lërë qytetarët si peshq pa ujë, si në pandemi

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë fjalën e plotë që ka mbajtur gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Brdo të Sllovenisë.
Në fjalën e tij, të cilën e ka bërë publike në rrjetet sociale, Rama i ka bërë thirrje BeE që të mos e ndajë Ballkanin Perëndimor nga planet e emergjencave për përballimine fatkeqësive të mëdha si pandemia apo për adresimin e krizës së saposhfaqur energjitike.
Rama tha se shpreson që në krizën energjitike BE të mos lërë jashtë qytetarët e Ballkanit Perëndimor ashtu si në rastin e pandemisë.
Edi Rama: BE-ja mund të bëjë gjënë e duhur për ne, duke mos e ndarë Ballkanin Perëndimor nga planet e veta të emergjencave, për përballimin e fatkeqësive të mëdha si pandemia apo për adresimin e krizës së sapo shfaqur energjitike, e cila është një sfidë për të gjithë këtu dhe mund të rezultojë në humbjen shkatërrimtare të shumë viteve përpjekje transformuese në rajonin tonë ende vulnerabël. Le të shpresojmë që në këtë rast të ri krize madhore që na prek të gjithëve, qytetarët tanë nuk do të lihen nga BE-ja si peshq pa ujë, ashtu siç ndodhi kur na latë jashtë skemës së shpërndarjes së dozave të para të vaksinave, duke e detyruar rajonin tonë, që në një luftë të mirëfilltë për mbrojtjen e jetës të mbështetet tek të shumëpërfolurit aktorë të tretë, shprehimisht Kina, Rusia apo Turqia nëse e doni edhe me emra.
Rama i ka bërë thirrje BE që t’i besojnë Komisionit Evropian për vlerësimin e Shqipërisë, ndërkohë me ironi thotë se pajtohet me deklaratën përfundimtare të samitit edhe pse nuk u mor mendimi i liderëve të shteteve përgjatë hartimit të saj.
Edi Rama: E fundit, ju mund të na ndihmoni duke i besuar më shumë punës rigoroze, të ndershme dhe ndonjëherë irrituese të vetë Komisionit Europian, i cili garanton vlerësimin më objektiv të mundshëm të përparimit apo të boshllëqeve tona. Por e di që kjo është e tepërt për t’u kërkuar, kështu që po ndalem me kaq, për t’ju falënderuar të gjithëve megjithë zemër, që na ftuat këtu. Në fund të ditës, Bashkimi Europian nuk është më i miri, por më të mirë se Bashkimi Europian nuk ka. Kjo është edhe arsyeja pse ne pajtohemi plotësisht me deklaratën përfundimtare të samitit, edhe pse askush nuk na pyeti për mendimin tonë përgjatë hartimit të saj. Është ajo që është.

