Krishtlindje lamtumire, George Frendo: Ëndrra juaj duhet jetë një Shqipëri më e mirë, jo largimi

Arqipeshkëvi i Tiranës dhe Durrësit, Mons. George Frendo festoi Krishlindjen e fundit me popullin shqiptar para se ti dorëzojë detyrën pasuesit të tij Arjan Dodaj.

Kjo ishte Krishlindja e dytë në pandemi por imzot Frendo thotë se ndryshe nga vjet pati më shumë mundësi për të festuar dhe pse mungon ai shpirti i mëparshëm festiv para se gjithë bota të mbërthehej nga koronavirusi.

E ndërsa i afrohemi fundit të vitit dhe largimit të tij nga Shqipëria kjo është dhe kohë bilancesh e reflektimesh për 25 vitet e shërbimit baritor në Shqipëri.

Frendo: Në përgjithësi ka qenë shumë pozitive. Kur u emërova si Arqipeshv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës kisha frikë duke qenë i huaj se populli nuk do të më pranojë por në fakt kam gabuar sepse kam parë te populli një dashuri dhe një respekt të madh, më shumë sesa meritoj. E them sinqerisht se me shumë keqardhje do të largohem nga Shqipëria. Por në prill do të jem 76 vjeç dhe dëshiroj që pjesën e fundit të jetës time ta kaloj në vendlindjen time dhe me vëllezërit domenikanë sepse unë para se të vija në Shqipëri kam qenë në një bashkësi të priftërinjve domenikanë dhe do të kemi mundësi të kthehem në atë bashkësi. Mons. Frendo do të fillonte misionin e tij meshtarak në Shqipëri në vitin e mbrapshtë të 1997 dhe mirëseardhja nuk ishte ashtu siç do kishte dashur.

Frendo do të fillonte misionin e tij meshtar në Shqipëri në vitin e mbrapshtë të 1997.

Ai e ndau me gazetaren e Rtv Ora, Enxhi Musai, këtë eksperiencë.

Frendo: Eksperienca ime e parë kur kam ardhur me 16 korrik 1997 ishte viti i trazirave dhe nuk ishte një eksperincë shumë e bukur sepse sapo arrita në atë fshat ku kam filluar misionin tim si misionar sapo kishin vrarë tre persona nga e njëjta familje. Nuk është njëmirëseardhje e këndshme. Por më kujtohet pastaj erdhi një burrë duke më parë pak të mërzitur dhe tha: Mos ki frikë, ne do t'ju mbrojmë por kujtohu se nuk ka pyll pa derra. Mu kujtua kjo eksperiencë por kam pasur dhe shumë eksperienca të tjera, psh më kujtohet sa shumë kemi ndihmuar refugjatë shqiptarë nga Kosova në 1999 gjatë luftës në Kosovë, kemi marrë shumë ndihmë nga Malta. Unë vi nga një vend i vogël si Malta por maltezët janë shumë bujarë dhe na kanë dërguar shumë ndihma për këta refugjatë dhe kemi punuar shumë, kanë ardhur dhe shumë vullnetarë maltezë që na kanë ndihmuar shumë për të dhënë ndihmën e duhur njerëzve që ishin shumë në nevojë.

Vlerëson solidaritetin e shqiptarëve, si një nga tiparet pozitive që e karakterizon popullin tonë.

Andaj ai ka dhe një porosi teksa ata i qasen gjithmonë e më shumë Perëndimit.

Frendo: Një nga tiparet pozitive të popullit shqiptar është solidariteti.Në raste fatkeqësie populli tregon një solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj atyre që kanë pasur fatkeqësi. Por duhet të kemi kujdes se Shqipëria tani është shumë më e hapur ndaj Perëndimit dhe sot ungjilli i shumë vendeve në Perëndim është konsumizmi, materializimi që na bën më egoistë. Të kemi kujdes që mos të humbasim vlerat morale më thelbësore, më të rëndësishme duke e lënë vetëveten të tërhiqemi nga ky ungjill i ri që nuk është një ungjill, se fjala ungjill do të thotë lajm i mirë. Por mentalitet konsumist dhe materialist.

Nga 1997 kur erdhi në Shqipëri shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë dhe për të keq.

Ai thotë se nuk ka më aq shumë të varfër sa çkishte, por nga ana tjetër ka të varfër që janë bërë më të varfër.

Frendo: Politika një detyrë shumë të veçantë për të krijuar struktura që favorizojnë vëllëazëri, respekt të ndërsjelltë dhe të jetë më e kujdesshme për të varfrit. Vërtet numri i të varfërve në Shqipëri është ulur, nuk ka aq të varfër sa kam parë unë kur erdha këtu para 25 viteve por ka një pjesë të të varfërve që janë bërë më të varfër sepse ndihma sociale është e ulët dhe çmimet janë në rritje. Po bëhet shumë më e vështirë për këto familje për të jetuar me dinjitet.

Për politikën mesazhi mbetet i njëjtë.

Frendo: Kërkoni më shumë të mirën e përbashkët sesa të mirën e partisë apo të mirën personale. Sepse politika ka një mision shumë fisnik të ndryshojë strukturat për të mirën e shoqërisë e çdo seksioni, çdo pjesë të shoqërisë duke u bërë dhe zë për ata që janë pa zë, ata që janë më të mënjanuar në shoqëri që nuk duhet të braktisen. Shumë përçarje që ekzistojnë në politikë që dëmtojnë të mirën e popullit dhe paqen e vendit të kërkojnë më shumë ato gjëra që na bashkojnë. Kemi nevojë për politikë por kemi nevojë edhe për besimet sepse janë besimet që mund të ndryshojnë zemrat jo thjesht strukturat. Shoqëria jonë është shumë e vetëdijshme për rëndësinë e misionit të besimeve, atëherë të japin më shumë vende për zërin e besimeve që e kërkojnë ndryshimin e zemrave për të mirën e popullit.

Larg urimeve klishe për festa, imzot George Frendo ka një porosi për të rinjtë shqiptarë.

Frendo: Sa herë flas me të rinjtë u them ju ndoshta keni vetëm një ëndërr, të largoheni nga Shqipëria duke kërkuar një vend më të pasur por ëndërroni më shumë për një Shqipëri më të pasur me vlera, më të bashkuar, më vëllazërore, një Shqipëri më të mirë, kjo duhet të jetë ëndrra juaj dhe duke vlerësuar dhe ruajtur tiparet pozitive që keni.

EMISIONET