Kreu i SPAK, Arben Kraja: Qeveria në mënyrë të dhunshme na ka ndërprerë buxhetin
Gjatë vitit 2022, qeveria i ka ndërprerë njëanshmërisht fondet Prokurorisë së Posaçme. Vetë kreu i SPAK, Arben Kraja, e ka pranuar në Komisionin e Ligjeve, duke kërkuar sigurinë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Gjithashtu ai kërkoi edhe shtim të fondeve për plotësimin e plotë të organikës së kërkuar, ndryshe nga numri që i është miratuar në pr/buxheti.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, në Komisionin e Ligjeve ka shprehur rezervat e tij mbi buxhetin që qeveria ka parashikuar për institucionin që ai drejton dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, duke theksuar se është miratuar një organikë prej 256 personash nga 273 që ata kishin kërkuar.
Kraja: Na është dhënë më pak se kemi kërkuar. Nëse ne kemi kërkuar totalin 273 nga janë dhënë 256. Një diferencë prej 15 punonjësish.
Më tej Kraja ka kritikuar qeverinë për ndërprerjen e fondeve të caktuara për SPAK për vitin që po lëmë pas, duke kërkuar që një gjë e tillë të mos përsëritet më.
Kraja: Herë pas here me akt normative është ndërhyrë në buxhetin e SPAK duke ndërprerë fonde të caktuara. Nuk kemi reaguar. Por duke filluar nga viti 2023 kjo nuk duhet të ndodhë më sepse kufizohet pavarësia e institucionit për të funksionuar.
Akte të tilla normative, për opozitën janë të papranueshme.
Gazment Bardhi: Përsa i përket institucioneve kushtetuese të pavarura çdo ndërhyrje me akt normativ në buxhetin e këtyre institucioneve ngre pikëpyetje serioze për kushtetutshmërinë e aktit normativ.
Gjatë fjalës së tij, Kraja pati edhe një kërkesë tjetër drejtuar Komisioni të Ligjeve që ka të bëjë me godinën e re të ku Prokuroria e Posaçme do të ketë zyrat.
Kreu i SPAK kërkoi përshpejtim të procedurave që kanë ngelur në zyrë të Ministrisë së Drejtësisë.


