Kremtohet Sulltan Novruzi, besimtarët bektashinj kujtojnë lindjen e Imam Aliut në Qabe
Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vetë Zoti.
Këto vargje i dedikonte poeti Naim Frashëri Sulltan Novruzit.
Festa që simbolizon ripërtëritjen e natyrës, lindjen e shpresës dhe nisjen e një viti të ri u kremtua këtë të martë nga besimtarët bektashinj, të cilët kujtojnë ditëlindjen e imam Aliut në Qabe.
Këtë fillim pranvere qytetarët u lutën për shëndet e mbarësi.
"Të dëgjojmë gjithmonë të mira."
Qirinj dhe lutje kishin edhe për popullin e Ukrainës me shpresë se lufta e vuajtjet e tyre do të marrin fund shpejt.
"Ajo lufta andej ishalla mbaron sa më shpejt."
"Po vriten fëmijët, një skandal."
Nga politika kërkuan bashkim dhe jo ndasi.
"Të jenë më të bashkuar dhe të qajnë hallet e qytetarëve që janë të varfër."
Në shumë familje koha nuk i ka zbehur traditat e ritualet e festës.
Zonjat gatuajnë byrek dhe ëmbëlsira por nuk mungon as kurbani.
"Therim pulën, është për gjak. Bëjmë ëmbëlsirë, sheqerpare zakonisht, byrekun me qumësht."
"Dreka me mish dhe pastaj gatimet e zakonshme."
Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj uroi begati e paqe.
Përfaqësues të lartë të politikës, medias, kulturës e komuniteteve fetare ishin po ashtu të pranishëm në Kryegjyshatë nga ku përcollën urimet e rastit.
Selinë e shenjtë e vizitoi kreu i Shtetit Ilir Meta si dhe kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, të cilët zgjodhën të mos u japin përgjigje pyetjeve politike.
Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.



