“Kosova nuk mund të bëjë tregti me pavarësinë e saj”, Zaimi: Ballkani i Hapur nuk po rritet
Politologu Arbër Zaimi gjatë një interviste për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth nismës “Ballkani i Hapur”.
Sipas tij kjo nismë nuk po rritet dhe vendet nuk kanë një pajtueshmëri politike gjë që sipas tij ndikon në jetëgjatësinë e tij.
Arbër Zaimi: “Ballkani i Hapur”nuk po rritet dhe vendet nuk kanë një pajtueshmëri politike. Iniciativat që synohen të jenë afatgjata nuk mund të jenë iniciativa vetëm të një fraksioni. Në procesin e Berlinit marrin pjesë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Te Procesi i Berlinit Kosova shkon si shtet i pavarur. Te “Ballkani i Hapur” nuk ndodh kjo. Është ndryshe një proces që nis me bekimin dhe miratimin e BE, ka një dimension paqeruajtës dhe zhvillimor. Të “Ballkani i Hapur” kemi vazhdimisht thirrje, ndonjëherë dhe nga Shqipëria që ta lënë këtë procesin e njohje ssë Kosovës për më vonë, thirrje që Kosova të hyjë në marrëdhënie tregtare pa u njohur.
Sa i përket përfitimeve ekonomike Zaimi u shpreh se dhe para luftës Kosova ka bërë tregti me Serbinë, por Kosova nuk mund të bëjë tregti me pavarësinë e saj.
Arbër Zaimi: Para luftës Kosova ka bërë tregti me Serbinë, kjo është absurde, Kosova ka pavarësinë e saj dhe nuk mund të bëjë tregti me pavarësinë e saj. Është detyrë kushtetuese e Shqipërisë që të këmbëngulë për pavarësinë e Kosovës. Kosova pret shumë nga Shqipëria, kanë një marrëdhënie të mirë.
“UÇK dhe NATO e kanë sjellë paqen në Ballkan. Të thuash që paqja nuk ekziston e na u dashka një Ballkan i Hapur për të sjellë paqen është e pasaktë. Në Ballkan nuk ka luftë ka mosmarrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Rreziku për luftë në Ballkan vjen nga Moska. Serbia aktualisht është bërë strehë e shumë biznesmenëve të Rusisë që duke marrë pasaportën serbe krijojnë një urë për tu larguar në perëndim.”, tha Zaimi.

