Komisioni i Ligjeve shqyrton nismat për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Komisioni i Ligjeve shqyrton nismat për ndryshime në Kodin Zgjedhor

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut është mbledhur sot për të shqyrtuar disa nisma ligjore për ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Fillimisht anëtarët e këtij komisioni u njohën me nismën e propozuar nga Kristaq Kume dhe që mbështetet nga 22 699 zgjedhës, për përfaqësimin e të gjitha komuniteteve në këshillat bashkiakë.

Kume tha se nëse arrihet të rregullohet një gjë e tillë, edhe funksionimi i këtij organi do të jetë më efektiv.

“Kërkojmë parashikimin në Kodin Zgjedhor të detyrimit të subjekteve politike që garojnë për këshilltarë që listën e kandidatëve ta hartojnë duke mbajtur parasysh përfaqësimin proporcional të komuniteteve në një njësi zgjedhore të caktuar. Kjo që është shkruar është rezultat i një pune gati 2-vjeçare me grupe të ndryshme interesi. Në zgjedhjet e vitit 2023 vumë re në listat e kandidatëve për këshilla bashkiakë nuk kishte pothuajse fare kandidatë të grupeve të margjinalizuara”, tha ai.

Kume po ashtu shtoi se synojmë votimin me lista të hapura, pasi është e drejta e qytetarëve që të zgjedhin se kë duan të shohin në këshillin bashkiak.

Nisma tjetër e prezantuar nga Adriatik Lapaj dhe që mbështetet nga 21 mijë shtetaska të bëjë me votën e emigrantëve dhe procesin e hapjes së listave, duke adresuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në lidhje me votën e emigrantëve, Lapaj u shpreh se drafti i paraqitur në komision adreson një pjesë të madhe të kërkesave të tyre, ndërsa u ndal në çështjet e paadresuara.

Sipas tij, fleta e votimit të diapsorës duhet të jetë me ngjyrë të ndryshme nga ato që do të përdoren brenda Shqipërisë, për të evituar çdo mundësi manipulimi.

Po ashtu, Lapaj propozoi që të ketë një komision të posaçëm që e pret votën e diasporës. “Kjo strukturë e posaçme pranë KQZ-së duhet të jetë e depolitizuar”, shtoi ai.

EMISIONET