Komisioneri, “i diskriminuar” nga qeveria: Po na prisni financimet
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk i ka kryer të gjitha funskionet që i janë besuar për shkak të ndërprerjeve financiare që iu janë bërë nga qeveria. Kjo ka shkaktuar debate të forta gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve ku janë akuzuar nga opozita se ankohen vetëm në momentin që iu prishën interesat dhe se nuk po mbrojnë nëpunësit e institucioneve publike që po shkarkohen në mënyrë masive për shkak të politikës.
Ndërprerja e buxhetit nga qeveria, ka bërë që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi të mos ketë para mjaftueshëm për të paguar faturën energjitike, ujin e deri tek pagat e rojeve.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështjet Ligjore tha se buxheti i vendosur nga qeveria ishte i mjaftueshëm, por ndërprerjet e financimet kanë penguar këtë institucion për kryerjen e funksioneve.
"Ky ka qenë viti i parë që ne kemi ndjerë kufizime nga ana e buxhetit për realizimin e funksioneve tona. Kjo jo për buxhetin e miratuar nga Kuvendi por për faktet e ndryshimit të buxhetit gjatë vitit me aktet normative që qeveria ka bërë. Shumë gjëra të tjera që ne kishim pasur dëshirë ti bënim gjatë këtij vitit, sidomos në lidhje me aktivitete me ndërgjegjësim, me informim, gjëra të planifikuara nga institucioni kanë qenë të pamundura të bëhen për shkak të prerjes së këtij buxheti nga ana e qeverisë."
Por këto ankesa nga ana e opozitës ishin hipokrite. Deputetja Çupi akuzoi institucionin se nuk kanë marrë parasysh denoncimet e tyre në lidhje me shkarkimet e shumta që i bëhen punonjësve të institucioneve publike për arsye politike, por vijnë dhe ankohen në momentin që i prishen interesat në lidhje me financimet.
"Ka largime nga puna për shkak të diskriminimit politik. Ngriheni me forcë dhe mbroni qeverinë. Ju themi ka diskriminim të qytetarëve, ngriheni me forcë në raport dhe mbroni qeverinë. Dhe sot vini dhe ankoheni për buxhetin, për lekët. Na thoni që jeni në borxhe për energji, ujë dhe për të paguar rojen."
Këto akuza të opozitës, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi i priti ashpër, ndërsa akuzoi Çupin se opozita nuk i është drejtuar kurrë institucionit.
"Të bëhet një komision hetimor dhe të shikohet, të merren të gjithë ato materiale dhe të shqyrtohen nga ana juaj dhe të adresohet fenomeni, askush nuk e ka bërë. Është thënë gjithmonë në raporte dhe me gojë nga ana e komisionerit. Është më në mbrojtje institucioni i komisionerit në lidhje me heqjet nga puna për bindjet politike sesa ju si deputetë të opozitës. I jeni drejtuar ndonjëherë institucionalisht komisionit për këtë?"
Gjatë mbledhjes pati edhe kërkesa nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave e Informimit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku si kërkesë kryesore kishin rritjen e sigurisë teknologjike nga sulmet kibernetike.

