KAS rrëzon kërkesën ankimore të "Bashkë Fitojmë" për rezultatin e 14 majit në Elbasan

KAS rrëzon kërkesën ankimore të "Bashkë

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shpalli vendimin për kërkesën ankimore të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kundërshtimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë dhe për këshillin e bashkisë, në bashkinë Elbasan, për zgjedhjet lokale të 14 majit, ekspertimin kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike që është e pajisur me server për ruajtjen e të dhënave elektronike.

Sipas kërkesës, kjo të realizohet nga ekspertë të huaj të pavarur nga institucionet shtetërore apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për këtë nevojitet që pajisjet të ruhen në kushte të përshtatshme në gjendjen aktuale me qëllim mosndërhyrjen nga personat e paautorizuar si dhe të mirëruajtura nga agjentët atmosferikë.

Kërkesa përmban dhe krahasimin e rezultatit elektronik të zgjedhjeve me rezultatin fizik (fletëve të votimit të gjendura në kuti) për çdo qendër votimi. Për këtë kërkohet një proces sa më transparent dhe gjithëpërfshirës. Këqyrjen e kamerave të jashtme dhe të atyre të përdorura brenda qendrave të votimit me qëllim evidentimin e të gjithë personave të paautorizuar apo pjesë e administratës vendore dhe qendrore në nivel specialist apo drejtuesi, që kanë qenë gjatë gjithë kohës nëpër qendra votimi, evidentimin e mosnënshkrimit të deklaratave përkatëse për votuesit që janë shoqëruar, evidentimin e votimit nga vetë Operatorët e PEVN-ve, evidentimin e votimit të komisionerëve për llogari të votuesve. Krahasimin e kodeve të votuesve me listën e votuesve për çdo QV në bashkinë Elbasan, në lidhje me pajisjen e identifikimit të votuesve (PED).

Kërkohej dhe rinumërim dhe rivlerësim i votave në të gjitha qendrat e votimit të bashkisë Elbasan si dhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve të zhvilluara në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan.

Me shumicë votash, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore nr. 85 dhe la në fuqi vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë dhe për Këshillin e Bashkisë, në zonën zgjedhore Bashkia Elbasan, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.

Sot, KAS shqyrtoi edhe kërkesën ankimore me nr. 67, me ankues subjekti zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë” me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 101, datë 16.05.2023 të KZAZ nr. 64, Bashkia Kuçovë, qarku Berat “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë” dhe kërkesën ankimore nr. 74, datë 22.05.2023, depozituar nga Lefter Maliqi, me objekt “Kërkojmë, ndryshimi i vendimit Nr. 101 datë 16.06.2023 të ZAZ Nr. 64 Bashkia Kuçovë, Qarku Berat, Për Miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”.

Subjekti kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave për ZAZ-në Nr. 64, të gjitha QV-të duke përfshirë në të rezultatin e dalë nga rinumërimi dhe rivlerësimi i votave për QV-të e listuara në tabelë; pavlefshmërinë e vendimit “Për Miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për Zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë Kuçovë”; konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit të KQZ ku është emëruar sekretari i ZAZ, Nr. 64 Kuçovë, shtetasi Romeo Arizi. pavlefshmërinë e vendimit të KZAZ, Nr. 64 Kuçovë, Qarku Berat, për shtyrjen e numërimit të votës, nga ora 11:00 deri në 12:30; pavlefshmërinë e pjesshme të fletës së votimit për kandidatet për Kryetar Bashkie për Bashkinë Kuçovë, në pikën ku është shënuar kandidati për Bashkinë Kuçovë Qarku Berat, Kreshnik Hajdari; pavlefshmërinë e veprimit juridik, formularin e dekriminalizimit, në emër të Kreshnik Hajdarit dorëzuar pranë KQZ referuar ligjit, nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

EMISIONET