“Kapini e ktheni shqiptarët”, MEPJ thërret ambasadorin britanik: Të shmanget diskriminimi
Shqipëria i dorëzoi notë verbale ambasadorit britanik në Tiranë për deklaratat e ministrit të shtetit për emigracionin në londër Robert Jenrick. Ministria e jashtme ka dënuar gjuhën diskriminuese të zyrtarit britanik ndaj shqiptarëve, duke kërkuar shmangien e saj në të ardhmen.
Ministria e Jashtme në Tiranë ka çuar edhe më tej protestën e saj ndaj deklaratave të Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick, i cili pak ditë më parë, në një qendër pritje për emigrantët, bëri thirrje për kapjen dhe ndjekjen e shqiptarëve për ti kthyer në vendlindje.
Ambasadori britanik në Shqipëri Alastair King Smith është thirrur në Ministrinë e Jashtme ku i është dorëzuar një notë verbale për deklarimin e dy ditëve më parë të ministrit të emigracionit Robert Jenrick.
Përmes kësaj Note, Ministria e jashtme paraqiti shqetësimin për gjuhën diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit britanik për Imigrimin.
Shqipëria vlerëson se kjo retorikë e përsëritur cënon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përmes një deklarate për këtë çështje, kërkon shmangien e gjuhës së urrejtjejes dhe diskriminimit dhe vijimin e dialogut e bashkëpunimit mes Shqipërisë e Britanisë si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Në fund të vitit të kaluar, kryeministrat e shqipërisë dhe britanisë firmosën një marrëveshje të përbashkët për luftën ndaj emigracionit të paligjshëm ku përfshihej bashkëpunimi i institucioneve të dy vendeve në luftën ndaj këtij fenomeni.
