PANIK NË RINAS/ 23-vjeçari i dehur konfliktohet me pasagjerët në avion. Një tjetër tenton të ikë ilegalisht, u jep lekë policëve. PAMJET

Frikë dhe panik në një linjë avioni që po drejtohej për në Rinas. Një 23-vjeçar në gjendje të dehur, sipas policisë u konfliktua me pasagjerët në avion.
Gjithashtu në momentin që është shoqëruar, po sipas njoftimit zyrtar, i riu ka kundërshtuar me dhunë policët duke i goditur.
Ndërkaq një tjetër shtetas tentoi të largohej ilegalisht nga vendi duke i zgjatur lekë efektivëve të policisë
Njoftimi i Policisë Rinas
✅Kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë, për të mos e shoqëruar, pasi në gjendje të dehur, shqetësoi pasagjerët në avion dhe u konfliktua me ta, arrestohet 23-vjeçari.
✅Procedohet penalisht një 49-vjeçar i cili tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, që të dilte ilegalisht nga vendi.
Krahas angazhimit maksimal për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë vijuar punën për të parandaluar dhe për të goditur paligjshmëritë. Për 2 rastet e konstatuara së fundi:
-është arrestuar në flagrancë shtetasi E. N., 23 vjeç, pasi në mesnatë, kanë njoftuar punonjësit e një linje fluturimi, në hyrje të vendit, se ky shtetas duke qenë në gjendje të dehur, po konfliktohej me pasagjerët në avion. Menjëherë pas njoftimit, kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë neutralizuar shtetasin E. N. 23-vjeçari, gjatë shoqërimit, ka kundërshtuar me dhunë, efektivët;
-janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 49 vjeç, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, me një kartëmonedhë 50 euro, që të dilte nga vendi ynë, drejt Italisë. Ky shtetas ishte i pajisur me aktin e refuzimit të daljes, sepse në vitin 2021 ishte kthyer deportiv nga Greqia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.






