Kanabis dhe mbi 18 mijë euro në një lokal në Fier, arrestohen pronari, kamarieri dhe furnitori i drogës

Pronari i një lokali në Fier ra në prangat e policisë pasi kishte përshtatur lokalin për përdorimin e drogave. Operacioni policor i koduar "Bashkëpunimi" u zvillua nga Komisariati i Policisë Fier dhe FNSH Tiranë.
Gjatë kontrollit në lokal u gjetën dhe u sekuestruan doza me kokainë, 18.380 euro, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Në pranga edhe një shtetas që u gjet në lokal, i cili dyshohet se furnizonte pronarin e lokalit, me lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 6.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Gjithashtu, në pranga është vënë edhe kamarieri i lokalit, për moskallëzim krimi.
U bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-E. Gj., 46 vjeç, banues në Dërmënas, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Përshtatja e lokalit për përdorim droge" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të gjahut";
-L. G., 30 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve";
-D. Ll., 28 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".
"Gjatë kontrollit të ushtruar në Pojan, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Gj., në të cilin ndodheshin edhe shtetasit L. G. (i dyshuar se furnizonte me lëndë narkotike pronarin e lokalit) dhe D. Ll. (i punësuar si kamarier), u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike dhe kanabis, 1 armë gjahu me një sasi fishekësh dhe 18.380 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. G., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa" njoftoi policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtraie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.






