Prek Kodra i kërkuar nga SPAK, pronari në hije i fshatit turistik në Theth. E moshuara: Shita 300 dele e mora borxh për investimin

Prek Kodra, nga Abati i Shkodrës, besohet se është pronori në hije i fshatit Turistit të ndërtuar pa lejë në zemër të zonës së Thethit në Dukagjin.
Emri i personazhit të njohur të botës së krimit që kërkohet nga SPAK si i përfshirë në dosjen “Metamorfoza” dhe dosjen penale të grupit të Suel Çelës, është lakuar në radhët e policisë së Shkodrës, si njeriu që qëndron në hije pas skandalit të ndërtimit pa lejë në zonën turistike të Thethit.
Kodra, ka përdorur emrin e një gruaja, e afërme e tij, e quajtur Prene Prroni, të cilën e ka përdorur si maskë për tu fshehur nga ndjekja penale dhe syri i kureshtarëve.
Prene Prroni, rezulton të jetë nëna e Valis Prronit, i cili rezulton i arrestuar dhe dënuar me dy vite burgim, për akuzën e “Kryerjes së marrëdhënies me dhunë”.
Në dosjen e siguruar nga gazetari i “Ora News” Elton Qyno, kjo grua e moshës 65 vjeçare, ka deklaruar në prokurori se:
“… 10 kapanonet e gjetura janë të vendosura në pronën e saj, e cila është një pronë që ajo e ka të trashëguar nga paraardhësit e saj. Prroni, deklaron se është interesuar pranë bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por i kanë thënë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh dhe ajo nuk ka dokumente pronësie, por e ka të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu deklaron se në dijeninë e saj, për objektet që janë pa themele, pa beton, nuk ka nevojë për të marrë leje. Tregon se paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i ka marrë borxh, tek të afërmit e saj, për të ndërtuar këta kapanone, si dhe ka pasur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qenë se nuk kishte çoban për t’u kujdesur për to, i ka shitur të gjitha dhe ka investuar në kapanone…”.
Ky ndërtim që prishi kartolinën natyrore të zonës së Thethit, ngriti në këmbë kryeministrin e vendit Edi Rama, i cili bëri rastin publik, duke sulmuar prokuroren e re të Shkodrës, Elsa Gjeli, për mosfillimin e ndjekjes penale.
Por nga ana tjetër prokuroria e Shkodrës i është kundërpërgjigjur Ramës duke pretenduar se ka zbatuar vetëm ligjin, pasi policia e Shkodrës dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Shkodrës, kanë plotësuar dosjen me shkelje të karakterit administrative dhe jo penal.
Me këtë përgjigje, prokuroria ka transferuar përgjegjësinë duke kaluar topin tek policia dhe IMT-ja Shkodër, të cilën kanë paraqitur një situatë të ndryshëm në letra me situatën reale të ndodhur në terren.
Në fakt kjo është vetëm maja e ajsbergut të këtij skandali, pasi subjekti Lene Prroni, ka lidhur me energji elektrike të 10 kabinat e ndërtuara në Theth si dhe është pajisur dhe më ujë të pijshëm.
Pra një seri shkeljes nga administrata publike e institucioneve që Edi Rama nuk i përmend fare, por të gjithë sulmin e ka përqendruar tek prokurorja e çështjes Elsa Gjeli, e cila ka vendosur mos fillimin e hetimeve ndaj këtij rasti.

