Ka marrë dhjetëra jetë njerëzish, banorët e Komanit i kërkojnë qeverisë shtrimin e rrugës
Kjo është gjendja në të cilën ndodhet rruga nga Vau Dejësi në Koman, një aks i rëndësishëm që lidh disa zona turistike me Shkodrën dhe njëkohësisht me Hidrocentralin e Komanit.
Gomat e automjeteve humbin në gropat e çelura në rrugë dhe banorët prisnin që ky të ishte viti i fundit që përballeshin me këtë realitet.
Por në prezantimin e buxhetit të 2022-shit, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se rruga nuk është në planin e qeverisë për vitin e ardhshëm, e madje as në atë afatmesëm. Kjo ka mjaftuar që banorët të dalin në një proteste paqësore.

Absurde dhe diskriminuese është sipas tyre deklarata e Ministres, pasi rruga u shërben përveç familjeve në këto zona, edhe qindra turistëve dhe punonjësve të HEC Koman, një vepër energjitike që shtetit i arketon miliona euro në vit.
"Ka të gjithë turizmin e zonës së veriut."
"Gjatë gjithë kohës ka ankesa nga turistët vendas dhe të huaj."

Ishte deputeti socialist Benet Beci që në fushatë elektorale ju premtoi banorëve rikonstruksionin e rrugës, e madje Fondi Shqiptar i Zhvillimit në shkurtin e 2020-es çeli tenderin për projektimin dhe rikonstruksionin e rrugës Qafë Qelë-Koman. Fondi limit ishte 24 milionë e 853 mijë lekë. Pasi votat u morën, gjithçka u harrua.
"U konsiderua si rrugë për tu bërë dhe su vë dorë mbi të."
E cilësuar ndryshe si rruga e vdekjes, ajo në këto 3 dekada ka marrë dhjetra jetë njerëzish. Fatkeqësisht nuk dihet se edhe sa të tjera duhet të humbin, që shteti ta cilësojë prioritare rikonstruksionin e saj.




