“Ka djegie të mëdha në gjoks e fytyrë”, fqinji tregon si arriti të shpëtonte nënën dhe djalin pas shpërthimit të bombolës së gazit
Ishte ora 06:00 e mëngjesit, kur banesa e familjes Kukaj në fshatin Polvar të Malësisë së Madhe u trondit dhe u përfshi nga flakët.
Bombola e kampingut që ata përdornin për gatim kishte rrjedhje çka më pas prodhoi shpërthimin e gazit brenda në kuzhinë.
"Ishte duke bërë mëngjesin për djalin," tha Ymer Senaj, banor i zonës.
Shpërthimi i gazit u shënua në një kohë kur kryefamiljarja Sadete Kukaj ndodhej në banesë bashkë me djalin e mitur.
"As nuk i pamë prej tymit, vetëm kur e ndjemë me këmbë që është një person këtu," tha Brahimi.
Gruaja mori ndihmën e parë në spitalin rajonal të Shkodrës e më tej u soll në Tiranë për mjekim të specializuar, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
"Është djegur në pjesën e gjoksit, krahu shumë dhe pak në fytyrë. Ishte asfiksuar."
Duke marrë shkas nga rastet e përsëritura të shpërthimit të bombolave të kampingut, drejtori i Shërbimit zjarrfikës në Malësi të Madhe i është bashkuar alarmit dhe thirrjes që të mos përdoren për gatim në banesa.
"Bombolat që përdoren nëpër banesa nuk janë të kualiduara, aq më tepër bombolat për kamping që nuk duhet të përdoren në ambiente shtëpiake. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve që të kenë kujdes me bombolat e gazit dhe t'i marrin të kualdiuara," tha ai.
Mëngjesin e së dielës, katër anëtarë të familjes Gjoka pësuan djegie në gati 90 % të trupit pas shpërthimit të një bombole gazi për kamping në hotelin që kanë në pronësi në Velipojë.
Shkak në atë rast sipas ekspertëve ishte një gabim njerëzor, pasi një prej bombolave që përdorej në hotel ishte lënë e hapur gjatë natës e për pasojë gazi shpërtheu.

