Ju flet Moska: Pse Mero Baze tha se Basha humbi zgjedhjet por fitoi partinë

Një editorial i Mero Bazes pas humbjes së zgjedhjeve nga PD ishte në fokus të analizës së emisionit "Ju flet Moska" nga Kastriot Myftaraj në Rtv Ora.

Myftaraj: Mero Baze është një analist, i cili kur ishte me Sali Berishën gjithmonë botonte një editorial, një artikull kryesor të gazetës së tij në të cilin me udhëzim të Sali Berishës paraqiteshin idetë që Sali Berisha nuk i thoshte dot me gojën e tij. Kur Mero Baze u bë me Edi Ramën, me të cilin është dhe sot, është një analist pranë tij, ai e vazhdoi të njëjtën metodë. Mero Baze bën një editorial në gazetën e tij ku me udhëzim të Edi Ramës paraqet ide të cilat Edi Rama nuk i thotë drejtëpëdrejtë me gojën e tij.

Në përgjithësi këto janë qëndrime ndaj kundërshtarëve politikë. Pas zgjedhjeve të 25 prillit Mero Baze ka botuar një editorial me titull "Lulzim Basha humbi zgjedhjet por fitoi partinë". Ajo që të habit është se Mero Baze nuk ka lënë gjë pa thënë ndaj Lulzim Bashës në këtë fushatë dhe para fushatës. Ka thënë që nuk është kryetari real i partisë, është një kukull e Sali Berishës.

Por tani që PD dhe Basha si kryetar i saj humbën zgjedhjet parlamentare, Lulzim Basha, ka gjetur befas një aleat dhe avokat të çuditshëm në personin e Mero Bazes dhe Mero i njeh befasisht Lulzim Bashës atë gjë të cilën ja ka mohuar dhe për të cilën e ka vënë në lojë që nga dita kur u zgjodh kryetar i PD në 2013 pas dorëheqjes së Sali Berishës. Lulzim Basha, thotë Mero Baze, duke humbur zgjedhjet fitoi partinë.

Sesi u fitoka një parti në botë duke humbur zgjedhjet për herë të dytë, dhe nuk po kap dot 60 deputetë… Ajo që Edi Rama e thotë me gojën e Meros është se këta, Edi Rama dhe Mero Baze e duan Lulzim Bashën kryetar PD se e dinë se është humbës i përjetshëm, është i paaftë të fitojë zgjedhjet. Sa kohë të jetë Lulzim Basha kryetar i PD është e sigurtë se PS i fiton zgjedhjet.

Për analizën e plotë shikoni videon e emisionit.

 

EMISIONET