Java e Parandalimit të Infeksioneve, Dr. Meta apelon për higjienë dhe vaksinim ku është e mundur

Në javën e parandalimit të infeksioneve mjekët apelojnë për kujdes të shtuar ndaj higjienës personale dhe të mjedisit përreth, si mënyra më e sigurt për të parandaluar përhapjen e infeksioneve.
Dr. Esmeralda Meta, mjeke infeksioniste në QSUT, thekson se viruset ndahen në disa lloje, dhe për ato më të shpeshta apelon për vaksinim të popullatës si masë efektive mbrojtëse.
“Infeksionet e ndryshme zënë një peshë të madhe sa i përket shëndetit publik, mjaft më mirë flasin epidemitë dhe pandemitë e shpërthyera, të cilat tregojnë se çfarë impakti kanë infeksionet në shëndetin publik në të njëjtën moment ose periudhe kohore”, theksoi Meta.
Infeksionet janë të shumta, ka nga ato që kanë prioritetin më të madh në mënyrën e përhapjes, transmetimit, dhe gravitetit ose pasojave që lënë në individë të ndryshëm.
“Kjo është java e infeksioneve, qoftë infeksioneve që ne quajmë komunitare që gjenden në popullatë dhe në kohët moderne të sotme kemi edhe infeksionet spitalore, që edhe ato kanë marrë trend në rritje. Në të dyja rastet sensibiliteti duhet të jetë i lartë. Ne jemi rrethuar nga mikroorganizma, të cilat herë sillen si normalë e herë si patogjenë nëse do i referohesha infeksioneve respiratorë sidomos grupet në risk që janë fëmijët, grupmosha e treta, personat që janë më sëmundje kronike ose sëmundje të cilat ulin imunitetin”, nënvizoi Dr.Meta.
Doktoresha Meta u shpreh se “rekomandohet që në periudhën e shpërthimit të infeksioneve të tilla këto grupe risku të kenë parasysh mosqëndrimin në vende të grumbulluara, përdorimin e maskave, mbajtjen e higjienës personale dhe ambientit përreth”.
Ajo bëri apel që popullata të vaksinohet kundër gripit apo Covid-it. “Për të gjitha infeksionet respiratore që ka vaksina sikurse është gripi, Covidi rekomandohet vaksinim në periudha të caktuara siç është periudha e vjeshtës ose dimrit”, tha Dr.Meta.
Sipas saj, peshë kanë edhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, të cilat kanë masa të tjera mbrojtëse e parandaluese. “Këto infeksione kanë rrezik edhe për jetën, por edhe prishin kualitetin e jetës madje lënë pasoja edhe në infertilitet”, theksoi Dr. Meta.
Dr.Meta këshillon që duke respektuar këto masa parandaluese të minimizohen shanset e marrjes së një sëmundje të tillë dhe transmetimi tek të tjerët.

